Berisha: Vjeshta që vjen do të shndërrohet në pranverën e protestave të demokracisë

Shqipëria

Berisha: Vjeshta që vjen do të shndërrohet në pranverën e protestave të demokracisë

Më: 12 gusht 2022 Në ora: 13:59
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar protesta në vjeshtë. Ai u shpreh gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët se vjeshta ka për t’u shndërruar në pranverën e protestave të demokracisë. Po ashtu, shtoi se Kryeministri Edi Rama do të trajtohet si armik.

“Vjeshta do të jetë një pranverë e dytë e demokracisë. Vjeshta që vjen do të shndërrohet në pranverën e protestave të demokracisë. Nuk mund të shkohet më tutje kështu. Ai vazhdon aferën kriminale me djegësat, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Sikur t’i ketë pronë të Surrelit. Qytetarët do thonë fjalën e tyre”, u shpreh Berisha.

Berisha u pyet edhe për komentet e Kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ditën e djeshme hodhi idenë e krijimit të një qeverie teknike. Kreu i demokratëve është shprehur se teza e përbashkët e të gjithë opozitarëve sot është largimi i Edi Ramës. Më pas u takon forcave politike që të vendosin nëse do të miratohet një qeveri teknike.

Nuk kemi diskutuar, por teza jonë është kjo që Edi Rama duhet të largohet një ditë e më parë. Pas largimit të kësaj qeverie, detyra më themelore është përgatitja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. A do miratohet një qeveri teknike apo si do quhet ajo, kjo është diçka që do e vendosin forcat politike, por largimi i Edi Ramës është një imperativ absolut”, u shpreh Berisha.

Kreu i selisë blu ndër të tjera vlerësoi qëndrimin e Metës për referendumet. Sipas Berishës, Kushtetuta ka humbur sensin e saj me marrjen e të gjitha pushteteve nga Edi Rama.

Dhe unë vlerësoj qëndrimin e Partisë së Lirisë për referendumet. Kushtetuta ka humbur sensin e saj me marrjen e të gjitha pushteteve nga Edi Rama, de facto ajo ka rënë. Sepse misioni i saj i një Kushtetute është ndarja e pushteteve. Nëse kushtetutshmëria është futur si shtyllë bazë e demokracisë, është futur për balancën e pushteteve. Ky është misioni që këtu ka humbur. Përveç kësaj, janë bërë ndërhyrje në Kushtetutë të shumëllojta, që i kanë privuar asaj zhdërvjelltësinë. Së treti, Shqipëria është i vetmi vend ku qytetarët nuk mund të flasin me votën e tyre”, theksoi Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat