Spartak Ngjela paralajmëron telashe për Edi Ramën nëse largohet kreu…

Shqipëria

Spartak Ngjela paralajmëron telashe për Edi Ramën nëse largohet kreu…

Më: 5 janar 2026 Në ora: 09:17
Spartak Ngjela

Juristi dhe analisti, Spartak Ngjela ka komentuar situatën politike në vend, duke u ndalur veçanërisht te roli i Sali Berishës në Partinë Demokratike dhe ndikimi që kjo ka, sipas tij, në balancat e pushtetit në Shqipëri. Ngjela shprehet se garancia kryesore politike e kryeministrit Edi Rama lidhet aktualisht me gjendjen e opozitës dhe qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj saj. Sipas Ngjelës, Shqipëria vijon të jetë pa një opozitë funksionale, çka përbën një problem serioz për jetën politike dhe demokratike të vendit.

Ai e cilëson situatën në Partinë Demokratike si të rëndë, duke theksuar se lidershipi i saj ka treguar mungesë vizioni politik. Në analizën e tij, Ngjela thekson se një parti politike nuk mund të vijë në pushtet kur drejtohet nga një figurë e shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, një lidership i tillë e bën Partinë Demokratike të papranueshme për partnerët perëndimorë dhe pa mbështetje reale elektorale, duke i dhënë avantazh politik Partisë Socialiste.

“Garancia e Edi Ramës vjen sot nga goditja që ka marrë Partia Demokratike e Shqipërisë nga politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Iku edhe një vit, dhe Shqipëria është ende pa opozitë. E rëndë është kjo për Partinë Demokratike! Pse kaq të paditur politikisht janë liderët e Partisë Demokratike! Si mund të vijë në pushtet sot në Shqipëri një parti politike kryetari i së cilës është një person i shpallur ‘non-grata’ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Asgjë nuk bën dot një parti e tillë në Shqipëri, përveçse po djeg vetveten politikisht, dhe po i jep kënaqësinë pakufi Edi Ramës që fiton, jo se ai di të drejtojë, por se ka përballë një konkurrent për pushtet, i cili nuk ka vota në Shqipëri sepse nuk pranohet nga Perëndimi. Gjithsesi, kjo është politika në shoqëritë që nuk janë të zhvilluara në idetë e tyre për demokracinë.

Por e vërteta është kjo: një parti e tillë, kryetari i së cilës është shpallur nongrata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk mund t’i fitojë dot zgjedhjet në Shqipëri, e cila është anëtare e NATO-s dhe po kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Asgjë tjetër nuk ndodh, veç asaj që garancia e Edi Ramës vjen sot nga goditja që ka marrë Partia Demokratike e Shqipërisë nga politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe pikërisht këtu, sigurisht që do ta ketë gjithmonë garancinë e fitores edhe Partia Socialiste në Shqipëri, sa herë që do të bëhen zgjedhjet politike dhe Partia Demokratike do të ketë si lidership politik një person i cili është shpallur person ‘nongrata’ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Ngjela.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat