“Qeveri e krimit”/ Përfundon protesta e 89 kundër keqqeverisjes, qytetarët: “Drejtësi, arrestoni Ramën dhe Ballukun!”

Shqipëria

“Qeveri e krimit”/ Përfundon protesta e 89 kundër keqqeverisjes, qytetarët: “Drejtësi, arrestoni Ramën dhe Ballukun!”

Më: 27 gusht 2026 Në ora: 19:53 Përditësuar në ora: 22:24 më 27.08.2026
Pankarta nga protesta

Marshimi nëpër kryeqytet, qytetarët vijojnë qëndresën ndaj qeverisë: Shqipëria kërkon revolucion!

Protestuesit e protestës së 89-të kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës, duke e shtrirë qëndresën e tyre, si çdo natë, përtej sheshit para Kryeministrisë.

Gjatë marshimit, protestuesit kanë kaluar para ministrive dhe Bashkisë së Tiranës, për të vijuar më pas drejt qendrës së qytetit, ndërsa kanë shoqëruar lëvizjen me thirrje kundër qeverisë.

Mes thirrjeve të dëgjuara gjatë marshimit ishte edhe “Arrestoni Ramën!”, ndërsa protestuesit kanë përsëritur edhe sloganin “Shqipëria kërkon revolucion!”.

Qytetarët vijojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë, duke paralajmëruar vazhdimin e protestave deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“A mund të ketë demokraci kur leku blen vendimet?”- Protestuesi: Ligji bëhet për të fortët, qytetari mbetet i pafuqishëm!

Në protestën e 89-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, një prej protestuesve ka ngritur akuza të forta për mënyrën se si, sipas tij, funksionon zbatimi i ligjit në vend.

Duke folur për sektorin e ndërtimit dhe ndikimin që, sipas tij, kanë paratë në vendimmarrje, protestuesi deklaroi se qytetari mbetet i pafuqishëm përballë një sistemi ku ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë.

“Ligji bëhet për të fortët dhe qytetari mbetet i pafuqishëm. Administrata hesht dhe konkurrenca zhduket”, u shpreh ai.

Më tej, protestuesi ngriti një pyetje mbi funksionimin e demokracisë, duke e lidhur atë me ndikimin e parasë së krimit.

“A mund të ketë demokraci kur leku blen vendimin dhe vendimi prodhon më shumë lekë? Jo! Turp!… Problemi janë lekët e pista, korrupsioni, paratë e krimit dhe fondet publike, të cilat të vjedhura futen në beton dhe në apartamente. Ajo që dje nuk justifikohej, sot paraqitet si pasuri e ligjshme”, deklaroi ai.

Protestuesi: Qëndrestarë, njerëz të palëkundur. Sot po flasim për një nga plagët më të mëdha të Shqipërisë, atë të sektorit të ndërtimit, që është sektori që po mban në pushtet Edi Ramën.

Kur ngrihen pallatet pyetja është se kush do të jetojë aty, por kur çmimet rriten dhe ne nuk blejmë dot shtëpi, pyetja duhet të ndërrohet, për kë po ndërtohet dhe nga po vijnë këto lekë?

Sot kemi një bum ndërtimi dhe kemi një sistem ku betoni përdoret për të fshehur dhe nuk tregohet se kush e hedh dhe nga dalin këto para. A duhet të dimë ne nga vijnë paratë që po ndërtojnë në qytetet tona?

Problemi janë lekët e pista, korrupsioni, paratë e krimit dhe fondet publike, të cilat të vjedhura futen në beton dhe në apartamente. Ajo që dje nuk justifikohej, sot paraqitet si pasuri e ligjshme. Ne duam hetim, kush ndërton, kush financon dhe kush fshihet pas çdo kompanie. A mund të pranojmë milionat për beton pa e ditur nga kanë ardhur këto para?

Leku i pisët nuk blen vetëm apartamentet, por sot në Shqipëri blen pushtet. Merr leje për toka, tendera dhe marrin mbështetje nga këto para që hedhin. Këtu lind marrëveshja mes ndërtuesve dhe pushtetarëve.

Ligji bëhet për të fortët dhe qytetari mbetet i pafuqishëm. Administrata hesht dhe konkurrenca zhduket.

A mund të ketë demokraci kur leku blen vendimin dhe vendimi prodhon më shumë lekë? Jo! Turp!

“Betoni kërkon vazhdimisht territor të ri” – Arkitektja nga protesta: Popullsia po bie, të rinjtë largohen ndërsa ne ndërtojmë sikur Shqipëria po mbushet me njerëz!

Arkitektja Dorjana Musaj, e pranishme në protestën e 89-të qytetare para Kryeministrisë, kritikoi qasjen e qeverisë së Edi Ramës, në lidhje me ndërtimet pa kriter nëpër zona të ndryshme të Shqipërisë, duke shtruar pyetjen se çfarë ka prodhuar gjithë ky ndërtim masiv në vendin tonë.

Nga sheshi, ajo tha se qeveria bëri ndërtime pa kriter në Tiranë, në bregdet, preku zonat e mbrojtura dhe tani po shkon edhe drejt maleve duke përmendur nismën e shumë kritikuar, Paketën e Maleve.

“Betoni për ta nuk është vetëm material ndërtimi, është forca e tyre. Kur betoni bëhet forma e pushteti, ai kërkon vazhdimisht territor të ri. Nuk kurseu qytetin e vjetër, vilat, lagjet e vjetra të Tiranës, lulishtet mes pallateve. Më pas dolën nga qyteti, shkuan te tokat bujqësore. Shkoj në bregdet, Zvërnec e deri te lagunat. Dhe tani me paketën e maleve, po ngjiten drejt pyjeve dhe maleve, model që kërkon territorin e ardhshëm që mund të kthehet në kantier.

Ndryshimi i planeve, statuset e veçanta, investitori strategjik, ligji 21/24 dhe instrumentet që flasin në çdo letër për zhvillim. Kur pushteti përdor fuqinë e vet për të hapur territorin një interesi dhe pastaj e vendos atë përballë komunitetit që jeton aty, investitori strategjik bëhet levë. Çfarë ka prodhuar gjithë ky ndërtim? Kemi ndërtuar më shumë apartamente, por një çift i ri e ka të vështirë të blejë një prej tyre. Të rinjtë vazhdojnë të ikin.

Tokën bujqësore e kemi kthyer në truall. Kush po i blen të gjitha këto? Popullsia po bie, të rinjtë po largohen, familjet po bëhen më të vogla ndërsa ne vazhdojmë të ndërtojmë sikur Shqipëria po mbushet me njerëz? Miliarda euro futen në beton pa pyetur mjaftueshëm nga vijnë këto para” , tha ajo.

Pankartat nga protesta e 89-të, mesazhe për arrestimin e Agasit: Tërhiq këmbën zvarrë, Balluku prangat i ka gati! Kështu do përfundoni nëse i jepni besën Ramës!

Në protestën e 89-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, qytetarët kanë sjellë në shesh pankarta me mesazhe ironike ndaj qeverisë, ndërsa në fokus është vendosur edhe arrestimi i Ergys Agasit.

Pankartat e protestuesve përcjellin mesazhe kundër korrupsionit, ndërsa një pjesë e tyre i referohen edhe SPAK-ut dhe zhvillimeve të fundit.

Ndër pankartat e shfaqura në shesh janë: “Asnjë pasqyrë digjitale nuk e fsheh dot vjedhjen reale, SPAK u zgjua nga letargjia, sot dridhet Kryeministria!”

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu!

Protesta e 89-të/ Nis marshimi i qytetarëve drejt Kryeministrisë: Rama jep dorëheqjen

Ka nisur marshimi i qytetarëve në Tiranë, në kuadër të protestës së 89-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit, të mbledhur në sheshin “Skënderbej”, kanë nisur marshimin përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në drejtim të Kryeministrisë.

Marshimi shoqërohet me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa protestuesit kërkojnë ndryshim politik dhe krijimin e një qeverie teknike.

Qytetarët deklarojnë se nuk do ta ndalin qëndresën dhe protestën, duke paralajmëruar vijimin e protestës deri në largimin e qeverisë.

Protesta e 89-të vijon tashmë me marshimin e qytetarëve në rrugët e kryeqytetit, ndërsa pritet që protestuesit të ndalen para godinës së Kryeministrisë dhe të vijojnë fjalimet kundër qeverisë Rama.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat