Tirana është kthyer këtë të premte në kryeqendrën e bisedimeve mes biznesve nga Shqipëria, Turqia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Në forumin e Biznesit Ballkanik, ku e pranishme ishte edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Forumin e Biznesit Ballkanik, u diskutua mbi krijimin e lidhjeve të reja tregtare dhe nxitjen e investimeve në rajon.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar se bashkimi i kapaciteteve dhe shfrytëzimi i avantazheve konkurruese mund t’i bëjnë vendet e rajonit më tërheqëse për investitorët dhe të krijojnë hapësira të reja për tregti.
“Ne, në Ballkanin Perëndimor, jemi ekonomi të vogla dhe vetëm duke bashkëpunuar, duke investuar bashkërisht dhe duke shfrytëzuar kapacitetet tona aty ku secili ka avantazhe konkurruese, mund të përthithim më shumë investime dhe të nxisim tregtinë”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja bëri të ditur se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, investimet turke në Shqipëri arritën në rreth 111 milionë euro. Ibrahimaj theksoi se ky interes duhet të shtrihet më tej, duke kaluar nga marrëdhëniet tregtare dhe kontraktuale drejt investimeve të drejtpërdrejta në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare.
“Ne do t’i krijojmë kushtet, por duhet që edhe biznesi të jetë më aktiv. Uroj që interesi i kompanive turke në Shqipëri të mos jetë vetëm për të kontraktuar apo për të shitur, por edhe për të investuar”, tha ministrja.
Ministrja shprehu besimin se puna e komisionit të përbashkët Shqipëri – Turqi të konkretizohet brenda këtij viti me nisma dhe plane konkrete. Vjen të theksohet se Forumi Ballkanik u organizua nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO), në Tiranë.