Gjykata e Lartë ka ndryshuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Festim Bexhdilit, kopshtarit të kompleksit "Golden Resort" në Shijak, duke e ulur në 25 vjet burg për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.
Dënimin me burgim të përjetshëm e kishte vendosur GJKKO-ja, dhe e kishte mbajtur Apeli i Posaçëm. Gjykata e Lartë e kishte kthyer më parë çështjen për rigjykim para një trupi tjetër gjykues, i cili e rikonfirmoi burgimin e përjetshëm. Arsyetimi i vendimit të ri nuk është bërë ende i njohur.
Gjatë shqyrtimit, prokurorja Elida Kaçkini kërkoi mbajtjen e dënimit të përjetshëm, duke u mbështetur te komunikimet në Sky ECC, që sipas saj tregojnë përfshirjen e Bexhdilit në grupin kriminal. Prokurori Behar Dibra kërkoi 20 vjet burg, me argumentin se Bexhdili ishte punonjës i kompleksit ku dyshohet se u vra Prenga dhe se ishte urdhëruar ta fshihte trupin.
Jan Prenga u rrëmbye më 17 janar 2020 në Kamëz dhe u dërgua në kompleksin "Golden", ku dyshohet se u rrah për vdekje. Hetuesit dyshojnë se trupi u hodh në zonën e Pjezës, por ai nuk është gjetur. Sipas SPAK-ut, rrëmbimi pasoi një vjedhje kokaine në Mbretërinë e Bashkuar, që dyshohet se e kishte kryer vëllai i Prengës.
Në çështje janë të përfshirë edhe Dritan Rexhepi, që mohon përfshirjen, dhe Gentian Funiqi, të cilët akuzohen si porositës, si dhe Martin Bleta e Korado Geshtenja, si organizatorë. Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini akuzohen si ekzekutorë. Pronari i kompleksit, Altin Hajri, që akuzohet si organizator, është në arrati dhe është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm.