Gjykata e Lartë ka rrëzuar sërish kërkesën e Argita Berishës dhe të dhëndrit të saj, Jamarbër Malltezit, për heqjen e sekuestros ndaj 25 pasurive, në kuadër të dosjes "Partizani".
Sekuestron e kishte vendosur Gjykata e Posaçme dhe e kishte mbajtur Apeli i Posaçëm. Arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Lartë nuk është bërë ende publik.
Pasuritë nën sekuestro përfshijnë gjashtë llogari bankare në emër të Malltezit, një numër banesash, bodrumesh e njësish të tjera në Tiranë, mes tyre edhe një vilë dupleks, si dhe kuota në tri shoqëri. Mes tyre janë 45 për qind e "Homeplan", 100 për qind e "Magnet IMO" dhe 60 për qind e "Magnet Gym&Fit". Një nga pasuritë e paluajtshme është në bashkëpronësi të Malltezit dhe Argita Berishës.
Sipas "Report TV", vetëm Malltezi ka deklaruar 35 prona në Shqipëri me vlerë prej dhjetëra milionë eurosh, ndërsa sekuestro prek pasuri me vlerë 5.4 milionë euro.