Rama për FAZ: Moska dhe Teherani i ushqyen protestat me gënjeshtra e teori konspirative

Shqipëria

Rama për FAZ: Moska dhe Teherani i ushqyen protestat me gënjeshtra e teori konspirative

Nga: Bota sot Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 08:59
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) se Moska dhe Teherani i kanë ushqyer protestat në Shqipëri me gënjeshtra dhe teori konspirative. Ai tha se ka prova për ndërhyrje nga jashtë, por nuk dha detaje.

Në intervistën për gazetarin Matthias Rüb, Rama tha se duar të huaja kanë përdorur metoda të njohura të manipulimit dixhital për të ndikuar te protestat. Ai hodhi poshtë krahasimet me lëvizjen studentore në Serbi dhe tha se në Shqipëri nuk ka lëvizje studentore që kërkon rrëzimin e qeverisë, por një konglomerat forcash politike nga e majta ekstreme te e djathta ekstreme, ku bëjnë pjesë edhe disa studentë.

Sipas Ramës, protestat nisën kundër projekteve turistike në deltën e Vjosës dhe më pas u shndërruan në kërkesa për dorëheqjen e tij. Ai tha se nuk beson ta ketë nënvlerësuar lëvizjen, e cila nga një tubim masiv në fillim të qershorit u kthye në protestë të dhunshme me më pak pjesëmarrës. Fillimet i cilësoi si shfaqje të rëndësishme të një Shqipërie të re.

Kryeministri refuzoi pretendimet për forcë të tepruar të policisë. Ai tha se gjatë trazirave janë plagosur dyfish më shumë policë sesa protestues dhe se, sipas tij, asnjë vend tjetër evropian nuk ka pasur sulme kaq të ashpra ndaj policisë me gurë e molotov. Ai shtoi se ankesat janë të ligjshme, por dhuna nuk mund të justifikohet.

Rama e quajti kërkesën për zgjedhje të parakohshme kërkesë të ligjshme të një pakice, duke thënë se shumica ka të drejtën e ligjshme të mos e plotësojë. Sipas tij, kriza politike ekziston si imazh mediatik nga qendra e Tiranës dhe jo jashtë saj. Ai mohoi se ndërhyn te SPAK dhe riafirmoi synimin për mbylljen e negociatave me Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2027.

Intervista vjen pak ditë para protestës së 28 nëntorit në Tiranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat