Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka akuzuar mazhorancën për përpjekje për të fshirë gjurmët e komunikimeve elektronike, pas deklaratave të ambasadorit amerikan.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Shehaj u shpreh se përfaqësuesit e qeverisë janë shqetësuar nga paralajmërimi për gjurmët që mund të kenë lënë në serverat e kompanive amerikane.
“Dukeni të fortë, duken të plotfuqishëm, por e dini mirë se ju ka ardhur fundi. Dje foli ambasadori amerikan, u terrorizuat dhe bëtë panik. Gjëja që ju bëri të dridheni ishte kur ju tha se keni lënë gjurmë në serverat e kompanive amerikane. Janë aty gjurmët e vjedhjeve tuaja. Keni kaluar ditën dje duke fshirë email-e dhe SMS, por nuk keni nga t’ia mbani”, tha Agron Shehaj.
Fjala e Agron Shehajt ne Parlament
Faleminderit, zoti kryetar. Tani do të doja që të ishte këtu, në fakt, ministri i brendshëm, i cili ka aspiratën për t’u bërë edhe kryetar bashkie. Por ministri i brendshëm zhduket. Nuk flet. Doja ta pyesja ministrin e brendshëm në lidhje me skandalin e dhunimit në komisariatin e policisë numër 1, se si u dhunua në mënyrë barbare jo nga 2 zyrtarë të lartë të policisë, por nga 2 banditë të cilët, para- pasi e dhunuan në komisariat, patën kurajon t’i dërgonin varësin e tyre, që ishte që ndodhej në dhomën ku është dhunuar ai djalë, ta kërcënonte që të ishte dëshminë, që të tërhiqej nga denoncimi. Po ministri i brendshëm, është i fortë atje jashtë me policinë, por kur vjen puna për të dhënë përgjigje, zhduket. Zhduket, se nuk ka çfarë të thotë. Kështu si bëni edhe ju, në fakt.
Këtu, po t’ju dëgjoni ju, t’ju dëgjojmë duke qenë të fortë, duke qenë të plotfuqishëm. Por në fakt, e dini shumë mirë që ju ka ardhur fundi. Dje foli ambasadori amerikan, apo nuk e dëgjuat? U terrorizuat. Panikë. Keni filluar, çfarë tha ambasadori amerikan? Ai tha shumë gjëra, por gjëja që u bëri që të dridheni u tha: “Keni lënë gjurmë në serverat e kompanive amerikane.” Gjurmët janë aty. Gjurmët e vjedhjeve tuaja janë aty. Nuk keni çfarë të bëni. Janë aty. Besoj keni kaluar ditën dje duke fshirë email-e, WhatsApp-e, SMS, s’dini çfarë bënit. Apo jo? Apo jo? Nuk keni nga ia mbani. Po të vish në Kuvend, është, shikon pamjet jashtë, polici gjithandej, keni bllokuar gjysmën e Tiranës, sepse keni frikë nga protestuesit. Tani na keni sjellë në parlament edhe masat kërcënuese, se si do t’i ndaloni protestuesit, por nuk i ndaloni dot. Nuk i ndaloni dot. Dhe të shtunën, në datën 28, do ngrihet e gjithë Shqipëria. Do ngrihet kundër jush, sepse ju ka ardhur fundi.