“Për tregjet e kriptoaseteve”, Ibrahimaj: Përafrim me standardet e BE-së dhe mbrojtje për investitorët

Shqipëria

“Për tregjet e kriptoaseteve”, Ibrahimaj: Përafrim me standardet e BE-së dhe mbrojtje për investitorët

Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 21:52
Delina Ibrahimaj

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për tregjet e kriptoaseteve”, i cili synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian, rregullimin e tregut dhe mbrojtjen e investitorëve, raporton Atsh.

Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj theksoi se kriptoasetet janë kthyer në një treg global me kapitalizim prej 2,66 trilionë dollarësh në fund të tetorit, ndërsa Shqipëria është tashmë pjesë e këtij realiteti.

“Qytetarët shqiptarë investojnë, kryejnë transaksione në kriptoasete, kryesisht përmes platformave të huaja, jashtë mbikëqyrjes së autoriteteve vendase. Përgjegjësia jonë është t’i përgjigjemi këtij realiteti me një legjislacion bashkëkohor që mbron interesat e qytetarëve, garanton integritetin e tregut dhe krijon hapësirë për sipërmarrjet inovative”, u shpreh ministrja.

Ajo bëri të ditur se projektligji zëvendëson ligjin e vitit 2020 dhe përafron legjislacionin shqiptar me rregulloren europiane MiCA, e cila zbatohet plotësisht prej dhjetorit 2024.

“Projektligji rregullon 10 kategori shërbimesh, përfshirë operimin e platformave të tregtimit, kujdestarinë e kriptoaseteve, transfertat, këshillimin dhe administrimin e portofolave”, tha Ibrahimaj.

Sa i përket kërkesave për kapitalin minimal të ofruesve të shërbimeve, Ibrahimaj theksoi se “parashikohen 50 mijë euro për këshillimin, transfertat dhe administrimin e protokolleve, 125 mijë euro për kujdestarinë dhe këmbimin e kriptoaseteve dhe 150 mijë euro për operimin e platformave të tregtimit”.

Ministrja u ndal te mbrojtja e investitorëve, duke theksuar se projektligji parashikon detyrime për publikimin e dokumenteve informuese, transparencë mbi kostot dhe rreziqet, si dhe ndarjen e aseteve të klientëve nga asetet e operatorëve.

“Qytetarët do të mund të verifikojnë në regjistrat publikë nëse një operator është i autorizuar dhe do të kenë mekanizma për paraqitjen dhe trajtimin e ankesave”, tha ajo.

Duke iu referuar rasteve të falimentimit të platformave ndërkombëtare, si FTX, Ibrahimaj u shpreh se rregullimi i tregut nuk nënkupton garanci shtetërore për investimet.

“Miratimi i këtij ligji nuk nënkupton që ne garantojmë investimet në kriptoasete nga shteti, por këto investime, që mbartin rreziqe, duhet që të jenë të mirinformuara dhe qytetarët të jenë të siguruar që të kenë informacionin e duhur”, deklaroi ajo.

Një tjetër aspekt i projektligjit lidhet me mundësitë ekonomike që ofrojnë teknologjitë e reja financiare, veçanërisht për pagesat dhe transfertat ndërkufitare, financimin e sipërmarrjeve dhe zhvillimin e industrisë fintech në Shqipëri.

Sipas ministres, këto teknologji mund të ndihmojnë në reduktimin e kostove dhe kohës së transfertave, duke krijuar alternativa të reja për familjet shqiptare, eksportuesit dhe profesionistët që ofrojnë shërbime në tregjet ndërkombëtare.

Më tej Ibrahimaj tha se “Shqipëria ka një brez të ri profesionistësh teknologjikë që mund të zhvillojnë produkte konkurruese për tregun vendas, por edhe për tregun ndërkombëtar. Ndaj interesi ynë ekonomik është që këto veprimtari të krijojnë vlerë në Shqipëri: kompani që investojnë këtu, profesionistë që punojnë këtu dhe produkte që zhvillohen në vendin tonë dhe eksportohen në tregjet ndërkombëtare”.

Një nga risitë e projektligjit, shtoi ajo, është gjithashtu krijimi i një mjedisi të kontrolluar testimi, të njohur si sandbox.

“Ky mekanizëm do t’u mundësojë startup-eve dhe kompanive të testojnë produkte, teknologji dhe modele të reja biznesi nën mbikëqyrjen e institucioneve, përpara se t’i ofrojnë ato në treg dhe përpara se të kenë nevojë që të licensohen. Një startup shqiptar mund të zhvillojë një shërbim për transferta ndërkomunitare, për shembull, mund të testojë funksionimin, kostot dhe sigurinë e produktit, duke identifikuar në kohë kërkesat që duhet të përmbushen. Për institucionet, ky mekanizëm shërben për të kuptuar zhvillimet teknologjike edhe për të vlerësuar rreziqet e produkteve të reja”, tha Ibrahimaj.

Sipas saj, mbikëqyrja e tregut për këtë sektor do të bëhet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili do të autorizojë dhe mbikëqyrë ofruesit e shërbimeve të kriptoaseteve, respektimin e detyrimeve dhe zbatimin e rregullave kundër abuzimit në treg.

“Banka e Shqipërisë gjithashtu ka një përgjegjësi këtu. Ajo do të jetë përgjegjëse për autorizimin dhe mbikëqyrjen e emetuesve të aseteve dhe të parasë elektronike, duke adresuar rreziqet që lidhen me stabilitetin financiar dhe funksionimin e sistemit të pagesave”, tha Ibrahimaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat