Dosja "Meta": nëna e Kryemadhit dënohet me 5 vjet, por nuk futet në burg

Shqipëria

Dosja "Meta": nëna e Kryemadhit dënohet me 5 vjet, por nuk futet në burg

Nga: Bota sot Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 15:27
Fatime Kryemadhi

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur sot vendimin në fraksionin e dosjes "Meta", duke e shpallur fajtore për pastrim parash Fatime Kryemadhin, nënën e Monika Kryemadhit. Dënimi i saj, megjithatë, është shndërruar në shërbim prove.

Fatime Kryemadhi, 80 vjeçe, u dënua me 7.5 vjet burg, të ulura në 5 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar. Kolegji e konvertoi dënimin në 2 vjet shërbim prove, ndaj ajo nuk do të vuajë dënimin në burg.

Ema Coku, shoqe e ngushtë e Monika Kryemadhit, u shpall fajtore për pengim të drejtësisë, dhe jo për pastrim parash, siç e akuzonte SPAK. Gjykata e dënoi me 1 vit e 4 muaj burg, të konvertuar në 2 vjet e 8 muaj shërbim prove.

Pirro Xhixho, ish-drejtues i AKEP-it, u shpall i pafajshëm për korrupsion pasiv. SPAK e akuzonte se ai kishte favorizuar kompani të lidhura me biznesmenin Adrian Shatku, pas ndërhyrjeve të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Gjykata hodhi poshtë kërkesën e SPAK-ut për konfiskimin e vilës trekatëshe në emër të Fatime Kryemadhit, duke arsyetuar se ajo nuk ndodhej nën sekuestro dhe është fituar nga burime të ligjshme. Vila e dytë, ku kanë jetuar Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, mbetet nën sekuestro, pasi dyshohet se është blerë me para të pastruara. Vendimi për të do të merret në gjykimin paralel ndaj Metës dhe Kryemadhit.

Vendimi mund të apelohet si nga të pandehurit, ashtu edhe nga SPAK, në shkallën e apelit të GJKKO-së. Gjykimi ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të akuzuar për korrupsion, pastrim parash në bashkëpunim dhe fshehje pasurie, vazhdon.

Të gjithë të pandehurit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia të provohet me vendim të formës së prerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat