Balla: Ligji për sponsorizimet, një mundësi e re për klubet dhe sportin shqiptar

Shqipëria

Balla: Ligji për sponsorizimet, një mundësi e re për klubet dhe sportin shqiptar

Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 22:14
Taulant Balla

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend se projektligji për donacionet dhe sponsorizimet synon të mbështesë veçanërisht sportin, me fokus të veçantë futbollin, përmes një mekanizmi të ri financimi, raporton Atsh.

Gjatë diskutimeve për projektligjin, Balla bëri të ditur se nisma nisi një vit më parë me propozimin e deputetit Erion Braçe për ndryshime në ligjin për sponsorizimet, ndërsa më pas u zgjerua me propozime të qeverisë, duke përfshirë edhe aspekte të tjera që lidhen me donacionet dhe detyrimet e subjekteve.

“Ne duam që prioritet të jetë sporti dhe një përqindje brenda së tërës t’i kushtohet sportit dhe, në mënyrë të qartë, futbollit”, u shpreh Balla, duke theksuar se nisma synon të mbështesë edhe artin dhe kulturën, por fokusi fillestar i propozimit të deputetëve ishte sporti.

Ai tha se janë marrë si referencë modele të suksesshme, duke përmendur Hungarinë, ku sipas tij ky mekanizëm është zbatuar me rezultate pozitive.

Balla sqaroi se bëhet fjalë për para publike, pasi shteti heq dorë nga mbledhja e një pjese të të ardhurave nga tatimfitimi, të cilat do të përdoren për sponsorizimin e aktiviteteve sportive.

“Ministria e Financave ka vendosur që të heqë dorë nga mbledhja e një sasie të caktuar të tatimfitimit, e cila, me ndryshimet e bëra në komision, do të jetë në vlerën 3 miliardë lekë, pra 33 milionë euro. Këto para të jenë një tavan, një referencë për të sponsorizuar aktivitete sportive”, deklaroi Balla.

Ai kërkoi që përfitimi nga ky mekanizëm të shtrihet në mënyrë hierarkike te klubet sportive, sipas pjesëmarrjes në Superligë dhe kategoritë e tjera, duke nënvizuar se vëmendje të veçantë duhet të kenë ekipet e moshave.

“Futbolli nuk është një aktivitet privat. Futbolli është një aktivitet publik. Sporti është një aktivitet publik”, tha Balla, duke theksuar rëndësinë e klubeve për jetën e qyteteve shqiptare.

Sipas tij, fondet duhet të përdoren jo vetëm për pagat, por edhe për mbështetjen e ekipeve, veçanërisht të moshave, si dhe për infrastrukturën sportive. Ai kërkoi gjithashtu që Ministria e Financave të garantojë se paratë publike do të shkojnë realisht për qëllimet e përcaktuara, ndërsa ministria përgjegjëse për sportin të hartojë rregulla të qarta për shpërndarjen e tyre.

Balla përmendi investimet e kryera në infrastrukturën sportive, duke iu referuar stadiumeve në Elbasan dhe Shkodër, si dhe stadiumit të Kukësit. Ai shprehu shpresën që në vijim të mundësohen investime edhe në stadiumet “Flamurtari” në Vlorë, “Skënderbeu” në Korçë dhe “Teuta” në Durrës, si dhe në Pogradec.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit sportive, Balla përshëndeti fitoren e Egnatias në Conference League dhe shortin e Kampionatit Europian U-21, ku Shqipëria do të përballet me Spanjën, Italinë dhe Finlandën. Ai u shpreh optimist për përballjet me këto kundërshtare, duke thënë se beson se Shqipëria mund të fitojë ndaj Italisë dhe Finlandës.

Në fjalën e tij, Balla u bëri thirrje deputetëve të lënë mënjanë debatet politike dhe të mbështesin projektligjin, duke e cilësuar sportin si një mundësi për zhvillimin e të rinjve dhe përfshirjen e fëmijëve në aktivitete sportive në të gjithë vendin.

“Duhet t’ia mundësojmë çdo fëmije në çdo cep të territorit një fushë sporti me standardet më të mira”, tha ai.

Balla kërkoi votimin e projektligjit, duke bërë të ditur se qeveria kishte pranuar propozimet e miratuara në komisionin përgjegjës. Ai u kërkoi ministrive të angazhuara të jenë të përgatitura për zbatimin e tij, me synimin që ligji të nisë të zbatohet në janar, pas procedurave të miratimit dhe botimit në Fletoren Zyrtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat