Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mbajti një fjalë në Forumin e dytë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, që zhvillohet në Tiranë nën moton “Horizont i ri”.
Në fjalën e tij, Ministri Hoxha u ndal në potencialin ekonomik të rajonit, mundësitë për investime dhe rëndësinë e integrimit ekonomik në procesin e anëtarësimit në BE.
“Për Shqipërinë, anëtarësimi në BE nuk është një ceremoni në fund të rrugëtimit. Është një transformim ekonomik që po ndodh çdo ditë. Prandaj, zgjerimi dhe integrimi ekonomik nuk mund të jenë dy biseda të ndara”, u shpreh Hoxha.
Ministri nënvizoi rëndësinë e parashikueshmërisë dhe besueshmërisë për tërheqjen e investimeve, duke evidentuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, linjëzimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si dhe përafrimin gradual të ekonomisë me rregullat dhe standardet europiane.
Hoxha identifikoi si fusha me potencial për investime infrastrukturën e transportit, përfshirë Korridorin VIII, energjinë, teknologjinë digjitale, inteligjencën artificiale dhe industrinë e avancuar, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të kapitalit njerëzor.
Ministri u ndal edhe në rëndësinë e integrimit të tregjeve të Ballkanit Perëndimor për rritjen e konkurrueshmërisë dhe tërheqjen e investimeve.
“Veçmas, jemi gjashtë tregje të vogla. Së bashku, jemi një mundësi serioze investimi”, theksoi Ministri Hoxha.