Shqipëria do të karakterizohet sot nga mot i paqëndrueshëm, me vranësira dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit.
Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet pritet të nisin që në orët e para të ditës, kryesisht me intensitet të ulët.
Situata atmosferike pritet të jetë më e theksuar në zonat jugore, ku reshjet do të kenë intensitet mesatar deri të lartë, duke u shoqëruar herë pas here me shtrëngata dhe shkarkesa elektrike.
Gjatë ditës, reshjet do të vijojnë në mënyrë të herëpashershme në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në jug parashikohen edhe rrebeshe afatshkurtra.
Ndërkohë, në zonat malore të veriut dhe verilindjes, në lartësitë mbi 1100 metra mbi nivelin e detit, priten reshje dëbore me intensitet të ulët.
Sa i përket kushteve të erës, ajo do të fryjë kryesisht nga jugu, me shpejtësi mesatare prej 7 metrash në sekondë. Përgjatë vijës bregdetare, shpejtësia e erës mund të arrijë deri në 15 metra në sekondë.
Në det, valëzimi parashikohet të jetë i forcës 2 deri në 4 ballë.