Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare mjeku i njohur dhe ish deputeti i PS, Ylli Ziçishti. Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, përmes një reagimi në rrjetet sociale.
“U kujdes gjithë jetën për shëndetin e të tjerëve, por sot zemra i pushoi përgjithmonë mjekut të madh dhe kolegut të veçantë Ylli Ziçishti. U prehsh në paqe Ylli ynë”, shkruan Balla.
Ylli Ziçishti lindi më 15 shkurt 1950 në Tiranë, ndërsa origjinën familjare e kishte nga Devolli. Ai ishte i biri i Mihallaq Ziçishtit dhe nipi i Llambi Ziçishtit, dy personalite ne kohen e Komunizmit.
Ziçishti ia kushtoi jetën profesionit të mjekut, të cilin e ushtroi që prej vitit 1973. Me fokus në kirurgjinë vaskulare, ai ndërtoi një karrierë të gjatë në sistemin shëndetësor shqiptar, duke kryer edhe specializime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë karrierës së tij shërbeu edhe në qytetin e Tepelenës, ndërsa një pjesë të rëndësishme të aktivitetit profesional e zhvilloi në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë. Aty drejtoi për 16 vite shërbimin e Urgjencës, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me pacientët dhe rastet e vështira mjekësore.
Pas një karriere të gjatë në mjekësi, Ylli Ziçishti u angazhua edhe në politikë. Ai përfaqësoi zonën e Devollit në Kuvendin e Shqipërisë gjatë legjislaturës 2013–2017, si deputet i Partisë Socialiste.
Pas përfundimit të mandatit parlamentar, ai iu rikthye profesionit të mjekut, duke punuar edhe në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ku vijoi të ushtronte profesionin e tij.