Kodi i ri i Procedurës Penale, Gogu: Konsultimi vijon javën e ardhshme me median dhe shoqërinë civile

Shqipëria

Kodi i ri i Procedurës Penale, Gogu: Konsultimi vijon javën e ardhshme me median dhe shoqërinë civile

Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 23:28
Toni Gogu

Procesi i konsultimit për projektligjin e ri të Kodit të Procedurës Penale vijon edhe pas përfundimit të afatit zyrtar më 28 tetor, ndërsa javën e ardhshme Ministria e Drejtësisë do të zhvillojë takimin e fundit me përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile, raporton Atsh.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu bëri të ditur se gjatë konsultimeve janë marrë mendime nga aktorë të ndryshëm të sistemit të drejtësisë, përfshirë gjyqtarë, prokurorë, SPAK-un, avokatë, ekspertë dhe qytetarë.

“Në 30 shtator e nxorëm projektligjin për konsultim publik. Në 28 tetor e mbyllëm afatin zyrtar, por konsultimi vazhdon dhe puna nuk ka mbaruar ende”, deklaroi Gogu.

Ai theksoi se projektligji është hartuar edhe me ekspertët e Këshillit të Evropës dhe i është dërguar Komisionit Evropian. Sipas ministrit, dokumenti ka marrë edhe kritika, të cilat po shqyrtohen dhe adresohen gjatë procesit.

“Dhe pikërisht për këtë shërben konsultimi, jo për të thënë se i kemi dëgjuar të gjithë”, u shpreh Gogu.

Ministri bëri të ditur se përpara se projektligji të marrë formën përfundimtare, mbeten edhe disa hapa, duke nisur me takimin e javës së ardhshme me median dhe shoqërinë civile.

“Do të kryejmë edhe konsultimin e fundit”, tha ai, duke nënvizuar se çdo propozim i shqyrtuar do të marrë përgjigje dhe raporti i konsultimit do të bëhet publik.

Pas përfundimit të këtij procesi, projektligji do t’i nënshtrohet vendimmarrjes në qeveri dhe më pas do të shqyrtohet nga Kuvendi.

Gogu theksoi se Kodi i ri i Procedurës Penale duhet të ruajë ekuilibrin mes mbrojtjes të të drejtave të qytetarëve dhe garantimit të mjeteve ligjore për institucionet që hetojnë veprimtarinë kriminale.

“Një Kod i Procedurës Penale duhet të bëjë dy punë njëkohësisht, nga njëra anë të mbrojë të drejtat e qytetarit dhe nga ana tjetër t’u japë institucioneve mjetet ligjore për të hetuar krimin. Asnjëra më e fortë se tjetra”, përfundoi ministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat