Nagip Arifi: Flamuri kuq e zi sot do të valojë në Komunën e Bujanocit

Aktuale

Nagip Arifi: Flamuri kuq e zi sot do të valojë në Komunën e Bujanocit

Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 08:31
Nagip Arifi

Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit  vazhdojnë të diskriminohen nga pushteti serb edhe për të drejtat e tyre elementare.

Në këtë trevë të banuar me shumicë shqiptare Festa e Flamurit është e ndaluar.

Por, pavarësisht kësaj në ditën e shtunë (sot) ata kanë vendosur që festën e 28 nëntorit ta festojnë me flamuj kombëtar.

Një flamur i tillë do të vendoset edhe në objektin e Komunës së Bujanocit.

Kështu ka thënë në një prononcim për FrontOnline, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.

“Pasi që nesër është ditë festive për të gjithë shqiptarët në rruzullin tokësor, por duke u nisur nga situata e cila po mbretëron me Covid-19 dhe duke u nisur nga ajo se në komunën e Bujanocit kemi shpallë gjendjen e  jashtëzakonshme kemi apeluar te qytetarët që nuk kemi përgatit ndonjë manifestim kulturor dhe artistik sikurse vitet e kaluara por flamuri kombëtar do të vihet në objektin e Komunës së Bujanocit. Nesër do valojë flamuri dhe pastaj do të bëjmë homazhe edhe tek dëshmoret e rënë për liri të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc”, ka thënë ai.

Ndërsa, duke folur për vendosjen e flamurit kombëtar nga deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Arifi ka thënë se  me këtë deputeti Shaip Kamberi i ka treguar Serbisë se edhe shqiptarët kanë flamur.

“Është një gjest i mirë që me i tregu Serbisë se shqiptarët janë për flamur dhe e kanë vetëm një flamur, ne e përshëndesim këtë. Por ajo çështje duhet të rregullohet me ligj, sepse ne për fat të keq përdorim flamurin vetëm kur kemi festë, sikurse është 28 nëntori dhe pastaj duhet ta respektojmë ligjin që mos me ardhë deri të ndonjë padi ose te masat të cilat nuk janë të dëshirueshme as për shqiptarët por as për qytetarët e Komunës së Bujanocit”, ka shtuar Arifi.

Ndërsa, duke folur për refuzimin e ministres së Administratës Publike dhe Vetëadministrimit Lokal në Qeverinë e Serbisë, Marija Obradoviq, që ministri i Jashtëm i Shqipërisë të shpallet “Qytetar Nderi” i Bujanocit, Arifi ka thënë se kjo nuk është gjë e mirë.

Sipas tij, duke e parë këtë diskrimin nga ana e Serbisë për shqiptarët, Arifi ka kërkuar nga qeveritarët e Shqipërisë, ta analizojnë çështjen e minishengenit duke thënë se Serbia për fat të keq është Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat