Policia zgjeron aktivitetet vetëdijesuese kundër trafikimit me njerëz

Aktuale

Policia zgjeron aktivitetet vetëdijesuese kundër trafikimit me njerëz

Nga: A.M. Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 12:59
Ligjërata sensibilizuese të Policisë së Kosovës për parandalimin e trafikimit me njerëz në shkollat fillore dhe të mesme.

Policia mban ligjërata kundër trafikimit me njerëz në 42 shkolla, përfshihen mbi 1,100 nxënës

Policia e Kosovës ka organizuar ligjërata edukative dhe sensibilizuese në 42 shkolla fillore dhe të mesme në tërë territorin e vendit, në kuadër të fushatës për parandalimin e trafikimit me njerëz.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, aktivitetet janë zhvilluar nga 18 tetori deri më 18 nëntor 2026, nga të gjitha njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Njerëz, në kuadër të Strategjisë Kombëtare kundër Trafikimit me Njerëz dhe Planit të Veprimit për zbatimin e saj.

Në këto ligjërata kanë marrë pjesë rreth 1,162 nxënës të moshave të ndryshme, së bashku me profesorët e tyre.

Qëllimi i aktiviteteve ishte edukimi i nxënësve për fenomenin e trafikimit me njerëz dhe shfrytëzimit seksual, informimi i tyre për burimet mbështetëse dhe mënyrat e identifikimit e parandalimit të situatave të mundshme të trafikimit, si dhe vetëdijesimi për pasojat sociale dhe ligjore të këtij fenomeni.

Një fokus i veçantë i është kushtuar identifikimit të hershëm dhe referimit të rasteve të trafikimit me njerëz.

Krahas nxënësve, ligjërata janë organizuar edhe për mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme në rajonet e Prishtinës, Pejës, Gjakovës dhe Gjilanit.

Këto aktivitete janë realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, drejtoritë komunale të arsimit, koordinatorët e prokurorive themelore, mbrojtësit e viktimave, Qendrat për Punë Sociale, Drejtorinë e Policimit në Bashkësi dhe Parandalim, si dhe organizatat joqeveritare.

Në ligjëratat për mësimdhënësit kanë marrë pjesë rreth 217 persona, me qëllim të rritjes së kapaciteteve për identifikimin dhe referimin e rasteve të trafikimit me njerëz.

Gjatë aktiviteteve është shpërndarë edhe material informues për pjesëmarrësit, përfshirë postera, broshura, fletore, lapsa dhe çanta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat