Autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës ia kanë ndaluar hyrjen në vend Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, pasi e kanë cilësuar kërcënim për sigurinë kombëtare. Lajmin e kanë konfirmuar burime të sigurisë për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të njëjtave burime, vendimi është marrë më 13 nëntor, katër ditë para se Gjykata e Lartë në Beograd të urdhëronte paraburgimin e tij dhe shpalljen në kërkim. Gjykata veproi pasi Radoiçiqi nuk u paraqit në polici më 15 nëntor, siç e detyronin masat e mbikëqyrjes në procedurën për Banjskën.
Ndalimi do të thotë se, nëse ai tenton të hyjë në Bosnjë dhe Hercegovinë, do të refuzohet ose do të ndalohet në kufi. Institucionet boshnjake nuk kanë dhënë hollësi për arsyet e vlerësimit.
Vendndodhja mbetet e panjohur
Ministria e Brendshme e Republikës Sërpska ka mohuar se Radoiçiqi ndodhet në këtë entitet ose se mbrohet nga strukturat e saj policore. Ditët e fundit kanë qarkulluar pretendime se ai është larguar nga Serbia drejt Rusisë, por as autoritetet serbe, as pala ruse nuk i kanë konfirmuar.
Sipas televizionit N1, vendimi i Sarajevës erdhi pak ditë pasi Bosnjën e kishte lëshuar edhe Zvonko Veselinoviq, partner afarist shumëvjeçar i Radoiçiqit.
Radoiçiqi ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që më 24 shtator 2023 sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë. Në sulm u vra polici Afrim Bunjaku, ndërsa u vranë edhe tre sulmues. Në Kosovë ai është njëri nga 45 të akuzuarit dhe po gjykohet në mungesë. Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe i kanë vendosur sanksione për përfshirje të dyshuar në krim të organizuar dhe korrupsion.