Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari ka pritur në një takim pune ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen, me të cilën ka diskutuar për tërheqjen e investimeve të huaja, zhvillimin e Zonave Eko-Industriale dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Përmes një njoftimi, Kusari bëri të ditur se në takim është diskutuar për hapat që po ndërmerren për tërheqjen e investimeve, me fokus të veçantë te Zonat Eko-Industriale, të cilat paraqesin mundësi për kompanitë e huaja, përfshirë ato finlandeze, që synojnë zgjerimin e veprimtarisë së tyre.
Ajo theksoi se klima e favorshme e biznesit dhe potenciali i të rinjve mund të shërbejnë si faktorë të rëndësishëm për tërheqjen e kompanive ndërkombëtare.
Sipas Kusarit, ambasadorja Laaksonen ka ndarë vlerësime pozitive të disa kompanive finlandeze që tashmë investojnë në Kosovë, lidhur me klimën e të bërit biznes dhe mikpritjen në vend.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për lidhjet mes qytetarëve të dy vendeve. Kusari bëri të ditur se mbi 22 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në Finlandë, ku, sipas saj, gëzojnë shkallë të lartë integrimi dhe reputacion të mirë.
Ndër mundësitë e reja të bashkëpunimit u përmend edhe organizimi i “Ditës së Kompanive Nordike” në Kosovë, si dhe forcimi i lidhjeve me afaristët nga Kosova që veprojnë në Finlandë.
Po ashtu, ambasadorja e ka ftuar palën nga Kosova që vitin e ardhshëm të marrë pjesë në SLUSH, ngjarjen ndërkombëtare për startup-et dhe inovacionin që organizohet në Helsinki.
Në takim është trajtuar edhe fuqizimi i grave në ekonomi dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit institucional në këtë fushë.