Ramabaja zbulon tri rrymat brenda lëvizjes studentore në Serbi

Aktuale

Ramabaja zbulon tri rrymat brenda lëvizjes studentore në Serbi

Nga: A.SH. Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 14:27
Fotoilustrim

Analisti politik Sadri Ramabaja ka ngritur pikëpyetje për të ardhmen politike të Listës Studentore në Serbi, duke vënë në dyshim nëse ajo është një subjekt i mirëfilltë politik apo një koalicion i përkohshëm kundër presidentit Aleksandar Vuçiq.

Në një postim, Ramabaja thekson se, ndonëse lëvizja ka bashkuar grupe me orientime të ndryshme politike, dallimet mund të shfaqen gjatë qeverisjes, veçanërisht në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Ai veçon qëndrimet ndaj Rusisë dhe Kosovës, duke theksuar se Lista Studentore nuk ka vënë në diskutim njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe ka ruajtur pozicionin tradicional të Serbisë.

Sipas Ramabajës, fitorja e kësaj lëvizjeje nuk duhet interpretuar si fitore e një orientimi të ri liberal-demokratik, pasi demokratizimi i brendshëm nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të politikës së Serbisë ndaj fqinjëve.

Postimi i plotë:

A është Lista Studentore një subjekt politik apo një koalicion i përkohshëm kundër Vuçiqit?

Kjo është një nga pyetjet më të rëndësishme për të ardhmen e Serbisë.

Lista studentore ka arritur të bashkojë njerëz me prejardhje të ndryshme profesionale, ideologjike dhe politike. Në të gjenden akademikë, ekspertë, intelektualë, aktivistë dhe qytetarë që deri dje nuk kishin ndonjë përvojë të rëndësishme në politikën parlamentare.

Ky heterogjenitet ishte përparësi gjatë mobilizimit kundër regjimit.

Por në qeverisje mund të bëhet burim përplasjesh.

Në fakt, ekzistojnë të paktën tri orientime që duhet të bashkëjetojnë brenda shumicës së re:

1. Rryma e reformimit institucional: kërkon sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, transparencën, luftën kundër korrupsionit dhe depolitizimin e administratës.

2. Rryma e sovranizmit kombëtar [nacionalistët modern]: e sheh Serbinë si shtet që duhet të ruajë pozicionin tradicional në çështjet kombëtare, veçanërisht në raport me Kosovën, Republikën Serbe në Bosnjë dhe marrëdhëniet me Rusinë.

3. Rryma e orientimit evropian: e konsideron integrimin në BE si objektiv strategjik dhe reformimin demokratik si parakusht të modernizimit të shtetit.

Këto orientime nuk janë domosdoshmërisht të papajtueshme në çdo pikë. Por dallimet bëhen vendimtare kur duhet të merren vendime konkrete për politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Një shembull është raporti me Rusinë. Lëvizja studentore nuk ka paraqitur një platformë të qartë për vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës dhe ka ruajtur një qëndrim rezervues ndaj kësaj çështjeje.

Edhe më domethënës është qëndrimi ndaj Kosovës: lista nuk e ka vënë në diskutim njohjen e pavarësisë së saj dhe ka mbrojtur pozicionin kushtetues tradicional të Serbisë.1

Pra, fitorja e lëvizjes studentore nuk duhet interpretuar automatikisht si fitore e një orientimi të ri liberal-demokratik në të gjitha dimensionet e politikës serbe.

Mund të kemi një demokratizim të procedurave të brendshme pa pasur ende një demokratizim të doktrinës shtetërore serbe ndaj fqinjëve.

Ky dallim është thelbësor për Kosovën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat