Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar qitje me municion luftarak me mortajën 120 mm, të sistemit Vuran, në poligonin e Bizës në Shqipëri.
Aktiviteti u zhvillua nga bateritë e Regjimentit të Mbështetjes Luftarake, në kuadër të avancimit të kapaciteteve operacionale të Komandës së Forcave Tokësore.
Qitjen e ka përcjellë nga afër komandanti i KFT-së, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, së bashku me përfaqësues të FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Gjatë aktivitetit u vlerësua profesionalizmi i pjesëtarëve të FSK-së, zbatimi i procedurave të sigurisë dhe përdorimi i sistemit të mortajës 120 mm.