Kritika për masat e sigurisë gjatë vizitës së Jakup Krasniqit: Spektakël i panevojshëm

Aktuale

Kritika për masat e sigurisë gjatë vizitës së Jakup Krasniqit: Spektakël i panevojshëm

Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 20:24

Nën masa të shtuara sigurie është përcjellë vizita katërditore e Jakup Krasniqit te familja e tij në lagjen Velania të Prishtinës.

Kolona e veturave të Policisë dhe zyrtarë policorë të armatosur me armë të gjata janë parë në afërsi të shtëpisë së tij.

Por, numri i madh i forcave të sigurisë dhe mënyra e përcjelljes së tij janë kritikuar nga kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari.

Ai e ka cilësuar këtë veprim si spektakël të panevojshëm, duke ngritur pikëpyetje për rolin e institucioneve të Kosovës dhe Policisë së saj.

“Gjithë ky spektakël me gjithë ato forca është i papranueshëm për ne dhe shtrohet pyetja: A kemi shtet? Ku janë institucionet tona? Ku është policia jonë? Me gjithë këto forca të ruhet e të përcillet një personalitet si Jakup Krasniqi është tepër e rëndë, është fyese për kategoritë e luftës, është fyerje e rëndë emocionale dhe për familjen e Jakup Krasniqit”, deklaroi Xhavit Jashari.

Ndërkaq, njohësi i protokollit, Tomor Avdia, vlerëson se përcjellja e vizitës është dashur të bëhej nga Policia e Kosovës.

Sipas tij, misioni i EULEX-it nuk ka kompetenca ekzekutive.

“Protokollet duhet të jenë të rregulluara në bazë të vendit dhe aty ku realizohen. Në këtë rast, misioni i EULEX-it në vendin tonë nuk ka të drejta ekzekutive, të cilat i ka humbur që nga viti 2018. Pra, është vetëm mision këshillëdhënës […] Në këtë rast, shteti ynë duhet t’i marrë përsipër të gjitha aktet protokollare”, vlerësoi Avdia.

Edhe avokati Ardian Bajraktari ka kritikuar praninë e shtuar të forcave policore gjatë vizitave të Krasniqit, duke e vlerësuar atë si joproporcionale dhe të panevojshme.

Ai ka folur edhe për ndalimin e takimit të policisë së EULEX-it me vëllain e Jakup Krasniqit, duke theksuar se masat e ndërmarra nuk kanë qenë në përputhje me nivelin e rrezikut.

“Ajo çka e ka karakterizuar këtë vizitë, por edhe vizitat e tjera paraprake, qoftë të z. Krasniqit, por edhe të tjerëve, ka qenë prezenca e shtuar e forcave policore, të cilat kanë qenë joproporcionale dhe të panevojshme, duke shpërfaqur një mendësi të natyrës paragjykuese, sepse rreziku në rastin e Krasniqit nuk ka qenë i tillë për të pasur një numër kaq të madh të forcave”, theksoi Bajraktari.

Ndryshe, Jakup Krasniqi është dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat