Ministria e Shëndetësisë kishte shpenzuar vetëm 64 për qind të buxhetit në vitin 2019

Aktuale

Ministria e Shëndetësisë kishte shpenzuar vetëm 64 për qind të buxhetit në vitin 2019

Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 16:07
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike

Vetëm 64 për qind e buxhetit të Ministrisë e Shëndetësisë (MSH), ishin shpenzuar gjatë vitit 2019. Raporti i Auditorit e kishte konsideruar si jo të kënaqshëm realizimin e këtij buxheti, derisa ka nënvizuar se si rezultat i mos pagesave me kohë, të operatorëve ekonomikë, të njëjtit përmes procedurave gjyqësore i kishin realizuar ato në vlerë prej më shumë se 270 mijë euro.

Kështu u tha në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, gjatë shqyrtimit të Raportit të Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të vitit 2019 të Ministrisë së Shëndetësisë.

Anëtarja e komisionit, Besa Gaxherri ka treguar se në bazë të këtyre të gjeturave, MSh ka paguar shpenzime në vlerë prej më shumë se 299 mijë euro, ndërkohë që ka shfrytëzuar vetëm 64 për qind të buxhetit.

Gaxherri: MSh ka shpenzuar 64 për qind të buxhetit final për vitin 2019

"Ministria e Shëndetësisë kishte shpenzuar 64 për qind të buxhetit final për vitin 2019. Që nënkupton një realizim jo të kënaqshëm në nivel të përgjithshëm. Niveli i ulët i shpenzimit të buxhetit ka pamundësuar arritjen e objektivave të përcaktuara për forcimin e kapaciteteve shëndetësore. Fushat me problemet më të theksuara të shpenzimit ishin klasifikimi jo adekuat i shpenzimeve, realizimi i ulët i buxhetit, menaxhimi i kontratave përfshirë edhe vonesat në vlerësimin e tenderëve si dhe niveli i pagesave me vendime gjyqësore që kishin rritur kostot krahasuar me buxhetin kryesor. Po ashtu, menaxhimi i pasurive nuk ishte në nivelin e kërkuar pasi që pasuritë nuk ishin regjistruar siç kërkohet me rregullat përkatëse”, tha Gaxherri.

Ky raport gjen se kjo ministri tek mallrat dhe shërbimet, është identifikuar si rezultat i mos pagesave me kohë të operatorëve ekonomikë, ku të njëjtit përmes procedurave gjyqësore i kishin realizuar ato në vlerë prej 276 mijë euro.

Gaxherri: MSh ka paguar dhe vlerësuar shpenzime në vlerë prej 299 mijë euro

“Ministria e Shëndetësisë në vitin 2019 përmes planifikimit buxhetor dhe vendimeve gjyqësore ka paguar dhe vlerësuar shpenzime në vlerë prej 299 mijë e 894 euro në kategori ekonomike jo adekuate. Pagesa në vlerë prej 189 e 20 euro për fushë realizimin e sistemit informativ shëndetësor, ishte realizuar nga thesari bazuar në vendimin gjyqësor nga kategoria e mallrave dhe shërbime, por që nga natyra ky shpenzim i takon kategorisë së investimeve kapitale. Pagesat në vlerë prej 31 mijë e 55 euro për kompensim të trajtimeve mjekësore jashtë vendit, ishte realizuar nga thesari bazuar në vendimet gjyqësore nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, por që nga natyra këto shpenzime i takojnë kategorisë së subvencioneve”, ka shtuar Gaxherri.

Mbi 24 mijë euro ishin për kompensimin e pagave jubilare, të cilat ishin realizuar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, por që për nga natyra i takojnë pagave dhe mëditjeve. E, pagesat në vlerë prej 55 mijë euro për servisimin e pajisjeve mjekësore, kishin qenë të buxhetuara janë paguar nga kategoria e investimeve kapitale.

Kryetari i komisionit, Bedri Hamza theksoi se thesari e ka të detyruar të ekzekutojë pagesa, qoftë edhe përmes mallrave dhe shërbimeve.

Hamza: Unë e shoh me shqetësim mos pagesën në kohë të këtyre detyrimeve

“Kur është ekzekutimi i pagesave përmes përmbaruesve apo vendimeve gjyqësore nga thesari, unë e di që ai del si keq-klasifikim. Por, thesari veç e pyet organizatën buxhetore ku është më së lehti me t’i marrë parat në përjashtim të pagave. Unë më tepër e shoh si shqetësim mos pagesën në kohë të këtyre detyrimeve, se sa këtë pjesën tjetër që në raport të ekzekutimit të buxhetit del si keq klasifikim. Realisht thesari e ka detyrim me i ekzekutua ato pagesa, edhe bën ekzekutimin te secila organizatë buxhetore pa përjashtim, më së lehti e bën te mallrat dhe shërbimet, por edhe prej kapitaleve dhe subvencioneve sepse është i detyruar me e zbatuar atë vendim gjyqësor që mund të vjen përmes përmbaruesit”, theksoi ai.

Për këtë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj theksoi se janë duke punuar në adresimin e rekomandimeve, për çka u zotua se puna e tyre do të përcillet në aspektin ligjor dhe administrativ.

Zemaj: Zotohemi që pjesa e përgjegjësisë tonë do të përcillet në aspektin ligjor dhe administrativ

"Kemi një mbikëqyrje efikase në zbatimin e rekomandimeve që kanë dalur nga Raporti i Auditorit. Ndoshta, në praktikën e punës e këtij komisioni shpesh herë ndodhë që edhe të ballafaqohen argumentet edhe rekomandimet edhe me Zyrën e Auditimit. Zotohemi që pjesa e përgjegjësisë tonë të përcillet në aspektin ligjor, por mbi të gjitha edhe administrativ, pavarësisht shkeljeve dhe të gjeturave qofshin të lehta apo qofshin të rënda", tha Zemaj.

E, anëtari i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Haliti tha se është shqetësuese se si vetëm 64 për qind e buxhetit është shfrytëzuar, ndërkohë që nuk janë paguar me kohë faturat. Ai ka pyetur edhe për menaxherin e kontratës të ndërtimit të spitalit të Ferizajt. Mirëpo, ministri Zemaj pas përplasjes që pati me deputetin Eman Rrahmani për zgjedhjet në Podujevë, e ka lën mbledhjen e komisionit, meqë siç tha ai, nuk është aty për “spektakle”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat