AAK-ja ia bën të qartë LDK-së dhe PDK-së: Nuk tërhiqemi nga posti i presidentit

Aktuale

AAK-ja ia bën të qartë LDK-së dhe PDK-së: Nuk tërhiqemi nga posti i presidentit

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 17:30
Ramush Haradinaj dhe Avdullah Hoti, foto nga legjislatura e kaluar

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka përsëritur qëndrimin e partisë se posti i presidentit të vendit i takon kësaj partie.

Deputeti AAK-së, Rasim Selmanaj ka thënë se nuk do të tërhiqen nga qëndrimi i tyre që posti i presidentit t’i jepet kësaj partie, gjegjësisht kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt.

Selmanaj ka komentuar edhe deklaratën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se ky subjekt politik nuk i jep vota askujt tjetër që vjen nga partitë në pushtet.

“Është e drejtë e tyre për të pasur qëndrimin dhe propozimin e tyre. Ne kemi propozimin tonë, kështu që mbetet me u pa si ka për të shkuar procesi. Nuk do të tërhiqemi nga posti i presidentit dhe presim se si do të jetë qëndrimi i partive tjera politike”, ka deklaruar Selmanaj.

Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, gjatë ditës së sotme ka thënë se ky subjekt politik nuk i jep vota askujt tjetër që vjen nga partitë në pushtet.

“Që ta kuptoni drejt qasjen tonë. PDK-ja është në opozitë, mbetet në opozitë, por janë 4-5 tema të cilat janë të karakterit nacional, ku kërkohet konsensus nacional. Një temë e tillë është edhe kjo pakoja e rimëkëmbjes ekonomike. Një temë e dytë është edhe zgjedhja e presidentit… Presidenti është president edhe i opozitës dhe i gjithë qytetarëve të Kosovës. Por në atë rast kur kërkohen votat e PDK-së, edhe kandidati duhet të jetë i Partisë Demokartike të Kosovës”, ka theksuar ai.

Në Kosovë brenda disa muajsh duhet të emërohet presidenti i ri, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje në fillim të muajit nëntor, dhe u dërgua në Hagë, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga ana e Prokurorisë së Specializuar.

Ushtruese e detyrës së presidentit është kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, por në bazë të Kushtetutës ajo nuk mund të ushtrojë këtë detyrë më shumë se gjashtë muaj.

Ndërkaq, nga LDK-ja kanë thënë se për këto cështje diskutohen në forum, nga ku edhe dalin vendime.

“LDK-ja çdo situatë që krijohet e diskuton në forum edhe pas vendimit në forum deklarohet”, ka thënë nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat