Mustafa: Pres që Specialja t’i trajtojë edhe vrasjet ndaj zyrtarëve të LDK-së

Aktuale

Mustafa: Pres që Specialja t’i trajtojë edhe vrasjet ndaj zyrtarëve të LDK-së

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 23:04
Isa Mustafa

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar se marrëveshja e nënshkruar nga Avdullah Hoti në Washington duhet të zbatohet, pavarësisht se tani po ndërrohet administrata në SHBA.

Në Rubikon ai tha se do të ishte gabim fatal nëse sillemi ndryshe.

“Jam i bindur që marrëveshja e nënshkruar në Washington duhet të zbatohet se është ne interes të  Kosovës. Ajo çka ndodh me administratën në SHBA dhe me bartjen e pushtetit është çështje e brendshme e SHBA-së, por sa i përket Kosovës dhe interesave tona, ne gjithmonë kemi pasur përkrahje si të demokratëve ashtu edhe të republikanëve, dhe tani do të gabonim nëse themi se shkoi një president i SHBA-së me të cilin kemi nënshkruar marrëveshjen sepse nuk do të ishte në rregull. Do të ishte gabim fatal që të sillemi ashtu”.

Mustafa u deklarua edhe në lidhje me atë nëse Gjykata Speciale do të duhej t’i trajtonte edhe vrasjet politike që janë bërë ndaj zyrtarëve të LDK-së.

“Gjykata Speciale e ka periudhën në të cilën do të trajtohen të gjitha krimet. Pres që do të trajtohen edhe këto vrasje që janë bërë. Unë sot nuk i adresoj askujt këto vrasje sepse është e padrejtë dhe e pandershme t’i adresohen dikujt. Do të duhet gjykata t’i adresojë vet. Do të ishte shumë më mirë që këto çështje t’i trajtonte drejtësia në Kosovë deri më tani dhe që ne t’i zgjidhnim këto vrasje, por nuk është arritur të zgjidhen, por do të ishte mirë që kjo gjykatë t’i trajtojë dhe t’i zgjidhë në këtë periudhë për të cilën është themeluar”.

“Është gabim të mendohet zhbërja e Gjykatës Speciale. E kemi kot se nuk e bëjmë, por është gabim edhe të mendohet. Tani duhet t’i jepet hapësirë drejtësisë, por të kërkohet drejtësi e pavarur dhe e cila zhvillohet mbi bazën e drejtësisë evropiane në këtë gjykatë. Por në qoftë se ne organizohemi t’i anulojmë ndryshimet kushtetuese në lidhje me Dhomat e Veçanta, e ndërlikojmë çështjen e kësaj gjykate dhe pozitën e njerëzve atje sepse mund t’i përshkruhet atyre që janë të involvuar atëherë qysh edhe u tentua e u shkruajt për ta”.

“Neve na u bë e qartë në vitin 2015 kur kam qenë kryeministër, nga përfaqësuesit amerikanë në mënyrë eksplicite na është thënë se ‘ju duhet ta themeloni Gjykatën Speciale, dhe nëse nuk e themeloni atë, kemi kërkesë të Rusisë dhe të Kinës që të themelohet në Këshillin e Sigurimit, dhe ne nuk do të votojmë kundër themelimit të saj’”.

“Nëse edhe sot dikush tenton në zhbërje, do të ishte diçka fatale. Mendoj se nuk është mirë që ka ardhur puna që të themelohet një gjykatë e tillë, por tani ne duhet të sillemi në mënyrë konstruktive sepse kjo gjykatë ka filluar të veprojë”, u shpreh Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat