​Drejtori i AKK-së: Korniza ligjore e vendit mbron sinjalizuesit e korrupsionit

Aktuale

​Drejtori i AKK-së: Korniza ligjore e vendit mbron sinjalizuesit e korrupsionit

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 12:40
Forumi virtual i organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, ka deklaruar se korniza ligjore që rregullon veprimtaritë e bizneseve, e që tashmë përfshin edhe Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, siguron mbrojtje ligjore të personave që raportojnë korrupsionin duke krijuar lehtësira në këtë drejtim.

Këto komente ai i bëri gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në bashkëpunim me Programin e USAID për Drejtësi Komerciale, ku u diskutua lidhur me rolin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit.

Sipas OEAK, gjatë këtij forumi janë diskutuar të gjeturat nga studimi, me theks të veçantë tek ato që lidhen me raportimin e korrupsionit, derisa u bisedua edhe mbi rolin e digjitalizimit të prokurimit publik si dhe ndikimin e këtij procesi në luftën kundër korrupsionit.

Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit theksoi se ky institucion ka përmbushur objektivat e parapara për këtë vit kalendarik, duke i ardhur në ndihmë të gjitha palëve që kanë paraqitur ankesa apo raste të korrupsionit, ku përmendi 79 raste të trajtuara deri më tani.

Duke u ndërlidhur me të gjeturat e studimit mbi perceptimin e korrupsionit në vend, Havolli i cilësoi të njëjtat si informata mjaft të nevojshme, derisa përmendi edhe hezitimin nga ana e bizneseve për raportim të korrupsionit si rrjedhojë e frikës nga hakmarrja por në raste të shpeshta edhe për shkak të përfshirjes së vetë bizneseve në korrupsion.

Megjithatë, sipas Havollit, korniza ligjore që rregullon veprimtaritë e bizneseve, e që tashmë përfshin edhe Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, siguron mbrojtje ligjore të personave që raportojnë korrupsionin duke krijuar lehtësira në këtë drejtim.

Për më tepër, ai foli edhe për prokurimin publik, i cili i është nënshtruar proceseve të digjitalizimit, gjë që ka pasur ndikim pozitiv në rritjen e transparencës dhe ka minimizuar mundësitë për korrupsion.

Artan Canhasi, udhëheqës i komponentës dhe specialist për Fuqizimin e Shoqërisë Civile, në programin e USAID për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse, i cilësoi si shumë relevante dhe të vërteta të gjeturat e studimit për perceptimin e korrupsionit, ndërsa shtoi se periudha e pandemisë COVID-19 dhe reformat e implementuara në veprimtaritë si prokurorimi publik kanë pasur ndikim pozitiv në uljen e nivelit të korrupsionit në nivel komunal, dhe rritje të transparencës sa i përket proceseve të tenderimit, të cilat pranojnë një numër të lartë të aplikantëve, gjë që krijon vështirësi në trajtim të mirëfilltë të tyre.

Canhasi gjithashtu përmendi edhe nevojën për rritje të njohurive rreth digjitalizimit të prokurimit publik, dhe rritje të bashkëpunimit në mes të institucioneve të përfshira në procedurat si ato të përzgjedhjes së tenderëve, ndërsa theks të veçantë i dha edhe nevojës për unifikim të komunitetit të bizneseve që bashkërisht duhet të ngris zërin kundër korrupsionit.

Për fund, Canhasi u bëri thirrje bizneseve të raportojnë rastet e korrupsionit, dhe të kenë besim në institucione shtetërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat