Kirurgu kërkon shkarkimin e zv/ministrit Dreshaj: Nuk ofrojmë shërbime veterinare, mos ia mësyj Spitalit të Pejës

Aktuale

Kirurgu kërkon shkarkimin e zv/ministrit Dreshaj: Nuk ofrojmë shërbime veterinare, mos ia mësyj Spitalit të Pejës

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 09:24
Gani Dreshaj

Sadri Berisha, kirurg në Spitalin e Pejës ka kërkuar shkarkimin e zëvendësministrit nga radhët e AAK-së, Gani Dreshaj, pas deklaratës së tij në këtë spital njerëzit po vdesin nga pakujdesia dhe neglizhenca dhe se më lehtë hyjnë lopa e qeni në objekt sesa njerëzit.

Berisha ka ironizuar me Dreshajn duke e këshilluar që “të mos ia mësyjë” këtij spitali, sepse nuk ofron shërbime veterinare.

Nëse ndodhin skandale të tilla, për të cilat Dreshaj tha se ka fakte, kirurgu i ka kërkuar që ta dërgojë policinë dhe prokurorinë në spital dhe në qoftë se është ashtu t’i prangosë mjekët.

“Deputet i zgjedhur nga populli (mjerisht), zv.ministër (mjerisht) pasi që sipas jush qenka bërë gjithë ky krim ndaj pacientëve si njeri me pushtet, shfrytëzoje autoritetin tënd dhe zbarkoje policinë dhe prokurorinë në Spital dhe dërgona në burg, sepse ata që vrasin nuk e kanë vendin në Spital, por në burg”, ka shkruar Berisha.

Kirurgu ka kërkuar që kryeministri Avdullah Hoti të distancohet nga deklaratat e zv/ministrit dhe ta shkarkojë atë nga çdo funksion në qeveri.

“Nëse do të qëndronim ato që i ka thënë z.Dreshaj, atëherë kryetari i AAK-së z.Ramush Haradinaj do të duhej t’u kërkonte falje publike qytetarëve të Pejës, Deçanit, Klinës, Istogut dhe më gjerë, në të kundërtën ta shkarkojë z.Dreshaj nga të gjitha funksionet në parti. Kryeministri Hoti duhet të distancohet nga fjalët e zv.ministrit dhe ta shkarkojë nga të gjitha funksionet në Qeveri”, ka përfunduar Berisha në Facebook.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat