Vjen reagimi i parë nga kryesia e LDK-së pas vendimit të Kushtetueses

Aktuale

Vjen reagimi i parë nga kryesia e LDK-së pas vendimit të Kushtetueses

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 11:19
LDK

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haki Rugova thotë se vendimin e Gjykatës Kushtetuese se Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo legjitime do ta diskutojnë në kryesinë e kësaj partie.

Rugova thotë se vendimet e Kushtetutës nuk do të komentohen dhe se LDK ka pranuar gjithsecilin vendim të Kushtetutës të marrë deri më tani.

Rugova: Do të takohemi si kryesi

“Ne do të takohemi si kryesi e partisë dhe do të diskutojmë. Natyrisht që vendimet e Kushtetutës nuk i komentojmë. Cilin vendim të Kushtetutës nuk e ka pranuar LDK?”, tha shkurt Rugova.

Ndërsa i pyetur se a do të mblidhet LDK gjatë ditës së sotme ai tha shkurt, “nuk e besoj”.

Po ashtu ai është pyetur edhe se shefi i tij Isa Mustafa a do t’i shkojë në takim presidentes në detyrë Vjosa Osmani, për çka Rugova tha se për këtë duhet të pyetur Mustafa dhe jo ai.

Rugova: Pyete Mustafën

“Këtë pyetje bëja zotëri Mustafa e mos ma bëjë mua”, tha Rugova.

KP ka tentuar të marrë një përgjigje nga Mustafa por një gjë e tillë deri më tani qe i pamundur.

Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Hetem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Vota e deputetit Etem Arifi që ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor.

Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ajo po ashtu ka konstatuar se, Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe duke pasur parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat