KQZ tregon kur i fillon përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme

Aktuale

KQZ tregon kur i fillon përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 11:53
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë deklaruar se nuk kanë mjete buxhetore të planifikuara për zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen brenda 45-ditëve, meqë sipas tyre, as këto zgjedhje nuk ishin të planifikuara.

Zëdhënësi i këtij komisioni, Valmir Elezi, ka treguar se kur do t’i fillojnë përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Ai tha se KQZ është duke pritur vendimin që shpall datën e zgjedhjeve, për të filluar përgatitjet për organizimin e tyre.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë është në pritje të vendimit që shpall datën e zgjedhjeve për në mënyrë që të fillojë me përgatitjet intensive për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Elezi.

Derisa u shpreh se KQZ nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për këtë proces të paplanifikuar, Elezi shtoi se “KQZ-ja do të përgatis me kohë kërkesën buxhetore të cilën do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës në kohën kur shpallen këto zgjedhje”.

Sipas tij, këto zgjedhje nacionale do të jenë sfiduese duke pasur parasysh edhe situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

“Jemi në kohë pandemie dhe sigurisht se këto zgjedhje janë sfiduese për faktin se KQZ-ja krahas përgatitjeve teknike për organizimin e këtyre zgjedhjeve duhet të merret edhe me zbatimin e masave apo rekomandimeve të institucioneve shëndetësore që lidhen me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor”, ka thënë Elezi për redaksinë.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, Gjykata Kushtetuese ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi, e cila ishte vendimtare për formimin e qeverisë më 3 qershor, e që zyrtarisht vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.

Menjëherë pas këtij vendimi, Partia Demokratike e Kosovës, është shprehur e gatshme që të garojë në këto zgjedhje.

Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se subjekti që ky përfaqëson, janë të gatshëm për zgjedhjet e reja, të cilave iu hapi rrugë një vendim i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese.

”Ne besojmë që është një vendim i drejtë. Ne mendojmë që është një hapje e rrugëve të qorrsokakut në të cilën e ka vendosur, Qeveria Kurti bashkë me Qeverinë Hoti në vendin tonë”, u shpreh ai dje në një intervistë televizive.

”Kemi një qeveri para së gjithash nuk është në gjendje të funksionojë siç e ka mandatin. Në këtë moment duke parë që atributet thelbësore të kësaj qeverie nuk përmbushet nga problemet që kanë krijuar ata vet”.

”Tani kemi një vendim që i hapë rrugë kësaj çështje. Dhe ne duhet të mendojmë që sa më shpejtë të hapet data e zgjedhjeve”.

”Është e vërtetë që hendikepi që nuk e kemi Kadri Veselin është evident, por që ne kemi struktura dhe njerëzit e PDK-së janë të gatshëm t’i përvishen punës. Ne si PDK jemi të gatshëm”, ka thënë tutje ai për Insajder.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje janë shprehur të gatshëm qysh nga themelimi I ekzekutivit të ri, të cilin prej kohësh e quajtën të jashtë-ligjshëm. Madje, në maj të këtij viti, kjo parti me anë të një peticioni kërkoi zgjedhje të reja.

Se “rruga e vetme për të dalë nga kriza politike janë zgjedhjet e jashtëzakonshme”, Vetëvendosje vazhdoi ta theksojë deri në publikimin e vendimit të Kushtetueses.

Së fundmi, nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me rastin Arifi është i një rëndësie të jashtëzakonshme.

Sipas saj, legjitimimi i deputetëve të zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme, legjitimon krimin dhe kriminelët në Kuvend, duke shtuar se vendi ka nevojë urgjente për zgjedhje të reja.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me rastin Arifi është i një rëndësie të jashtëzakonshme. Legjitimimi i deputetëve të zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme, legjitimon krimin dhe kriminelët në Kuvend. Shitblerja e votës përveç se me favore e të mira publike do të bëhet e zakonshme edhe me paratë e krimit. Kjo s’duhet lejuar dhe s’guxon të ndodhë”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat