Më pak pacientë me COVID-19 në Spitalin e Gjakovës, aktualisht 30 pacientë me oksigjenoterapi

Aktuale

Më pak pacientë me COVID-19 në Spitalin e Gjakovës, aktualisht 30 pacientë me oksigjenoterapi

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 13:58
Hilmi Shala

Në spitalin rajonal të Gjakovës aktualisht janë të hospitalizuar 47 pacientë, prej tyre 30 janë me oksigjenoterapi dhe tre në gjendje të rëndë dhe trajtimi i tyre po bëhet me CPAP maskë. Nga ky spital thonë se janë mirë të furnizuar edhe me oksigjen por edhe me terapi mjekësore.

Drejtori i këtij spitali, Hilmi Shala tha se në pritje të rezultateve për koronavirus janë 6 qytetarë nga kjo komunë.

“Ne i kemi 47 pacientë të cilët janë të dyshuar apo me COVID që janë trajtuar. Nga këta 28 janë pozitiv pjesa tjetër janë negativ dhe një pjesë presin të testohen…30 pacientë janë me oksigjenoterapi, 3 janë në CPAP maskë gjendja e tyre është stabile e mirë në përjashtim tek këta tre që janë me CPAP maskë që gjendja e tyre është pak më e vështirë”, tha ai.

Meqenëse në nivel vendi është zvogëluar numri i qytetarëve të infektuar, Shala thotë se edhe në Spitalin e Gjakovës ka rënie të pacientëve që po kërkojnë trajtim mjekësor, por shton se menaxhimi i pacientëve në valën e fundit ka qenë sfidues.

“Ka qenë shumë sfiduese ngase nuk e kemi pritur këtë fluks të madh pikun e keni pasur 115 pacientë të cilët kanë qenë të hospitalizuar për COVID, ne i kemi pasur në dispozicion rreth 30 përqind të shtretërve, kemi qenë të përgatitur që nëse ka nevojë te hapim prapë hapësira të reja por fatmirësisht në javën e fundit vetëm ka rënie të pacientëve që janë me COVID”, u shpreh Shala.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala ka folur edhe rreth furnizimit me oksigjen. Ai dekoroi se kanë pasur vështirësi si spital në këtë aspekt, por që asnjëherë nuk kanë pasur mungesa.

Shala u shpreh se furnizimi me oksigjen bëhet në bazë të nevojave ditore të pacientëve.

“Nuk ka sepse ne i kemi edhe aparaturat me rrymë rreth 40 aparatura në rast se nuk ka oksigjen i kemi përdorur aparaturat me rrymë por fatmirësisht nuk ka ardhur deri tek ajo gjendje. Dihet se Kosova nuk prodhon oksigjen jemi të varur nga shtetet tjera, ka qenë problem madhor jo vetëm tek ne por në të gjitha anët, por fatmirësisht nuk kemi pasur mungesë të oksigjenit, kemi pasur vështirësi por jo mungesë”, deklaroi ai.

Shala thotë se spitali që ai drejton ka qenë mirë i pajisur me medikamente mjekësore. Ai tha se dy ditë ka pasur mungesë të barit, fraksiparinë por që tashmë janë furnizuar dhe gjendja është stabile.

“Sa i përket terapisë barna dhe material shpenzues ka pasur raste kur janë shpenzuar deri në furnizimin e radhës i kanë blerë edhe vetë pacientët. Ne jemi të obliguar që si institucione shëndetësore me ligj ta mbulojmë listën esenciale, ndërsa ato që nuk janë në listën esenciale nuk është në kompetencën tonë që t’i blejmë…javën e fundit e kemi pasur fraksiparinën një bari antigoagulues që ka qenë problem në gjithë Kosovën por kjo vetëm dy ditë dhe tash jemi furnizuar dhe po vazhdon trajtimi i pacientëve”, deklaroi drejtori i Spitalit të Gjakovës.

Sipas tij, rreth 21 përqind e personelit shëndetësor janë infektuar me COVID-13.

Krahas shërbimeve për pacientët me koronavirus, Hilmi Shala thotë se përveç shërbimeve që kanë mundur të presin të gjitha shërbimet tjera në Spitalin e Gjakovës ofruar pa ndërprerë.

Vetëm në 24 orëshin e fundit në qytetin e Gjakovës pozitiv me koronavirus kanë rezultuar 11 qytetar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat