​Haradinaj viziton SOS Fshatin e fëmijëve

Aktuale

​Haradinaj viziton SOS Fshatin e fëmijëve

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 15:21
Ramush Haradinaj

Në prag të festës së Vitit të Ri, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj vizitoi SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të përkrahin fëmijët aty, meqë kjo sipas tij, është e mundur. Ndërkohë, edhe nga SOS fshati kanë bërë thirrje për përkrahje në mënyrë që t’iu ofrohen të gjitha kushtet këtyre fëmijëve.

Haradinaj tha se është i lidhur ngushtë me këtë vend, meqë dikur përkujdeseshin për fëmijët e tij.

Haradinaj: Unë kam bërë një përkrahje modeste

“Sot edhe si prind, se dikur Trimi e fëmija ynë, kur kam qenë unë në Hagë kanë qenë nën përkujdesjen e drejtoreshës Nezahate e kolegëve të tyre në SOS, në fshatin e fëmijëve. Por, edhe si një mik i këtij projekti shumë domethënës, SOS fshati i fëmijëve ju jep fëmijëve dashurinë e familjes, i rrit ata me dashurinë, fëmijët pa përkujdesje edhe fëmijët pa familje. Por, në fund për disa prej tyre krijon familje dhe është diçka vërtetë humane. Unë edhe si qytetarë, por edhe si njeri kam bërë edhe një gjest të një përkrahje modeste, por edhe kam ardhur me iu uru për gjithë punën që e bëjnë gjatë gjithë vitit”, tha Haradinaj.

Haradinaj pati edhe një thirrje për të gjithë ata që i kanë kushtet që të ndihmojnë këta fëmijë.

Haradinaj: Ata që kanë kushtet t’i përkrahin fëmijët

“Unë kisha bërë një apel te shumë prindër dhe te ata që i kanë kushtet më të mira dhe materiale, edhe bizneset që të përkrahin SOS fshatin e fëmijëve që t’i përkrahin fëmijët dhe përkujdesin dhe dashurinë që iu jep SOS fshati deri edhe te krijimi i një familje për ta, t’i përkrahin fëmijët. Kjo është e mundur tash dhe bëhet në baza vullnetare dhe është diçka vërtetë humane për secilën”, shtoi ai.

Drejtoresha e SOS fshatit, Nezahate Salihu tha se shpreson që zëri i Haradinajt do të kontribuojë që edhe të tjerët të mbështesin fëmijët të cilët janë të vendosur aty.

Salihu: Fëmijët kanë nevojë për mbështetje

“Mua më pëlqeu që keni ardhur si qytetarë edhe si prind. Kështu që me të vërtetë, unë i ftoj të gjithë ata që dojnë me ofru një mbështetje për fëmijët të cilët janë të vendosur te ne. Fëmijët i kemi këtu, ata kanë nevojë për mbështetje të gjithëve. Kështu që është mirë me ardh edhe me i tregu se ata nuk janë vet. Ata kanë shumë miq, kanë njerëz që me të vërtetë mendojnë për ta”, theksoi ajo.

Salihu tha se po funksionojnë me donacione, ndërkohë që theksoi se çdo donacion tjetër është i mirëseardhur në mënyrë që të vazhdojnë përkujdesjen për fëmijët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat