Hoti thotë se Kosova ngadalë po shndërrohet në qendër ndërlidhëse për rajonin e më gjerë

Aktuale

Hoti thotë se Kosova ngadalë po shndërrohet në qendër ndërlidhëse për rajonin e më gjerë

Më: 11 janar 2021 Në ora: 15:34
Avdullah Hoti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, përcolli nga afër punimet në rehabilitimin e linjës hekurudhore 10, ku vlerësoi progresin që është bërë në segmentin e parë. Ai nënvizoi se me fillimin e punimeve edhe në segmentin e dytë Kosova ngadalë por sigurt po shndërrohet në një qendër ndërlidhëse jo vetëm për rajonin por edhe më gjerë.

“Unë dëshiroj ta falënderoj Bashkimin Evropian, ambasadorin, sepse një pjesë e konsiderueshme mbështeten nga ta, sigurisht BERZH-in për kushte shumë të mira të kredisë për financimin e këtij projekti. Falënderoj ministrin që e ka shty këtë projekt përpara dhe të gjithë të tjerët që me një dinamizëm po e bëjnë këtë projekt të realizohet në praktikë”, tha kryeministri Hoti.

Gjatë vizitës në linjën hekurudhore 10, Kryeministri Hoti ishte i shoqëruar nga Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, Sekretari i përhershëm i Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjšek, Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Transportit dhe Lëvizjes në Komisionin Evropian, Matthew Baldwin dhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/ Përfaqësues i Posaçëm i BE-së, Tomáš Szunyog.

Rehabilitimi i segmentit Fushë Kosovë – Hani i Elezit, në gjatësi prej 65 kilometrash, kushton 78 milionë euro. Ndërsa kostoja e përgjithshme e rehabilitimit të hekurudhave të Kosovës do të kushtojë 210 milionë euro, të cilat do të sigurohen përmes kredive nga BERZH-i (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim). Hekurudha e Kosovës, nga Hani i Elezit deri në Leshak të Mitrovicës, do të rehabilitohet dhe modernizohet sipas standardeve më të larta evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat