Cakolli për vendimin e KQZ-së: Edhe pse jo plotësisht i qartë, është i nevojshëm për rritjen e integritetit të procesit zgjedhor

Aktuale

Cakolli për vendimin e KQZ-së: Edhe pse jo plotësisht i qartë, është i nevojshëm për rritjen e integritetit të procesit zgjedhor

Nga: G.Ba Më: 11 janar 2021 Në ora: 20:44
Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga KDI, ka reaguar lidhur me vendimin e KQZ-së për diasporën.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se votimi jashtë vendit është një prej operacioneve më të cenueshme dhe të ndjeshme të procesit zgjedhor, e që rëndom ka prodhuar situata problematike, që kanë rrezikuar edhe integritetin e tërë procesit zgjedhor, përcjell Bota sot.

Sipas Cakollit, ky vendim duhet të elaborohet tutje, duke përfshirë edhe përcaktimin e kontrollit të dyfishtë të realizimit të telefonatave, numrin e thirrjeve, problemin e zonave të ndryshme kohore dhe të ngjashme.

Ai ka shktuar se trajtimi i kësaj teme si kalkulim ditor politik e elektoral është i panevojshëm dhe i dëmshëm.

Postimi i tij i plotë:

Votimi jashtë vendit është një prej operacioneve më të cenueshme dhe të ndjeshme të procesit zgjedhor, e që rëndom ka prodhuar situata problematike, që kanë rrezikuar edhe integritetin e tërë procesit zgjedhor. Ky fakt është konstatuar edhe nga raportet vendore dhe ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve, sidomos që nga zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Lehtësimi i procedurave për aplikim dhe votim jashtë vendit nuk duhet të nënkuptohet si kompromentim të integritetit dhe transparencës së zgjedhjeve, duke e bërë këtë operacion të pakontrolluar fare.

Ndonëse pa detaje dhe jo plotësisht i qartë, vendimi i sotëm i KQZ-së për verifikimin e aplikacioneve të votuesve jashtë vendit përmes telefonatave, i miratuar UNANIMISHT, është i nevojshëm për rritjen e integritetit të procesit zgjedhor.

Sidoqoftë, ky vendim duhet të elaborohet tutje, duke përfshirë edhe përcaktimin e kontrollit të dyfishtë të realizimit të telefonatave, numrin e thirrjeve, problemin e zonave të ndryshme kohore dhe të ngjashme.

Me anë të këtij vendimi evitohen situatat e manipulimit të procesit të votimit jashtë vendit, siç kemi pasur rastin më eklatant në fund të vitit 2017, kur raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të Istogut ishte përsëritur në tërësi. Madje, atë kohë, kur PZAP kishte tentuar konfirmimin e identitetit të votuesve jashtë vendit përmes telefonimit të tyre, pjesa dërrmuese e tyre kishin dalë numra të paqasshëm apo të gabuar.

Ndër tjerash, ky vendim adreson edhe situatën me votat e ardhura nga Serbia, të cilat në vazhdimësi kanë qenë të diskutueshme - për shkak të dyshimeve se aplikimet janë bërë nga persona të njëjtë dhe nuk janë verifikuar asnjëherë.

Trajtimi i kësaj teme si kalkulim ditor politik e elektoral është i panevojshëm dhe i dëmshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat