“Kapen” keq këshilltari i Ramush Haradinajt dhe Vjosa Osmanit

Aktuale

“Kapen” keq këshilltari i Ramush Haradinajt dhe Vjosa Osmanit

Nga: P.R Më: 12 janar 2021 Në ora: 19:40
Ramush Haradinaj dhe Vjosa Osmani

Këshilltari i Vjosa Osmanit, Faton Peci reagoi ndaj një deklarate të Ramush Haradinajt, i cili e quajti të dobët Vjosa Osmanin.

“Z.Haradinaj, e kuptoj mendësinë e gjykimit tënd. Si një njeri me sfond prej ushtaraku, edhe politikën e kupton nga prizmi i fuqisë fizike.

Në politikë nuk kryejnë punë muskujt, por shkathtësie politike, të cilën ju nuk e keni demonstruar. Kjo, ngase po të ishte kështu do të ishe ende kryeministër, por jo shef i një partie të vogël opozitare, që lufton për mbijetesë.

Natyrisht, qasja juaj ndaj zonjës Osmani lidhjet jo me përfaqësimin e vendit në relacion me Serbinë, por dëshirën tënde për t`u ulur në karrigen e presidentit të vendit.

Boll ma! Prej 20-vjetësh keni bërë shumë salto politike, duke ia rrënuar kredibilitetin ndërkombëtar Kosovës, si asnjëherë më parë.

Sot, dhimbja jote nuk ka të bëjë me Kosovën, por me vetveten. Prit në të gjelbrën, ka radhë! Kësaj here, edhe pse ushtruese detyre, Vjosa Osmani dëshmoi se jo vetëm që mundet më mirë, por edhe e ka hak të jetë në krye të vendit për një përfaqësim të denjë dhe me guximin për t`i thënë gjërat troç, ngase nuk e ka bishtin e zënë me derë, sikurse shumica e politikanëve të brezit të vjetër.

Është nder për Kosovën ta ketë një presidente si Vjosa Osmani. Me guximin dhe vizionin politik, ajo po e dëshmon dhe do ta dëshmojë se është presidente e fuqishme politikisht (jo me muskuj) dhe se me Serbinë është koha e përballjes në tavolinë. Vjosa këtë e ka dëshmuar me aktivitetin politik. Siç e dini edhe ju, është pikërisht Vjosa që një betejë me Serbinë e ka fituar ende pa qenë presidente. Ajo ishte pjesë e ekipit që përfaqësoi Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Pra, kjo është vetëm një dëshmi se Vjosa është më e fortë, më e fuqishme dhe më e shkathtë politikisht!

Deri në fitoren e radhës, mirupafshim!”, kishte shkruar Peci.

E Pecit iu kundërpërgjigj menjëherë Halil Matoshi, ish këshilltar i Ramush Haradinajt.

“Nji përgjegje Fatonit, njeriut ngat Vjosës

Zotni Faton, politika âsht art i të mundshmes, pra edhe forcë.

Fuqi legaliste e 81 e legjislatorëve (forumi);

Ramush Haradinaj në disa raste ka dëshmu se munet me i bâ tubë kaq dhe ma shumë të zgjedhun t’popullit!

Kur e bâni ushtrinë psh. Kur kësi komisionarësh të BE-së thojshin: “Punë që s’bâhet”!

Kur e bâni Trepçën të Kosovës, me ligj. që ajo zyra ku Zonja Osmani po fotografohet sot thojke: “Stop, nuk bâhet pa Beogradin!?”

Kur e pavarësoi sistemin energjetik, njashtu...

Për Ligjin e Prishtinës e Reformat shtetnore...

Faton, me taksën 100% ndaj Serbisë, Ramushi e delegjitimoi ndarjën e Atdheut tonë dhe e riktheu dialogun nga tavolina e Mogherinkes (ku në vend se për normalizim flitej për territore) tek populli i Kosovës!

Faton, Ramushi me familje e ka pagu çmimin dhe dhimbjen supreme për Kosovën dhe me i thânë atij se nuk e paskësh dhimtën e Kosovës, duhet me qenë i vocerr dhe i ult!

Faton, Kosova nuk ka fare President të zgjedhun, ka nji administruese të Përkohshme të Zyrës së Presidencës!

Kaq.

Kurse tash po të drejtohem si mik: I dashtun Faton, mos merrni turr se hala jeni pa kulm mi kry (AAK âsht vërtetë parti e vogël por shpi e etablueme që nuk pikon shi e helm mbi tjerët por e mbronë Kosovën e 17 shkurtit, në kufijtë ekzistues, pa hamendje);

Ju, nji kulm të Shtëpisë së vjetër sapo bâtë përpjekje me e çartë!?

Tue metun nomad politik!?

Ndërsa “shkathtësia” politike e u.d. të Presidentes (ushtruese detyre, edhe ashtu âsht term i gabuem!?) Vjosa Osmani, tue qenë vet e rreshtume me Albin Kurtin në “lëvizjen antiestabilishment” të ideueme nga Slavoj Žižek & Co pēr interesin e njifar bipolariteti, me e përkthy shqip i bjen: karshillak ndaj supërfuqisë së vetme, ShBA-së.

Pra, në vend se me u marrë me Ramush Haradinajn, kish me qenë mirë me tregu para publikut se i keni thirrë të gjitha degët e LDK (shefat e tyne) dhe për fatin Tuej të keq, nuk keni marrë asnji përgjigje.

Thjeshtë u kanë injoru!

Ish pjesëtarët e familjës Suej politike!”, ishte kundërpërgjigjia e Halil Matoshit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat