Mustafë Bajrami nuk është i përfshirë në listën e kandidatëve për deputet nga VV

Aktuale

Mustafë Bajrami nuk është i përfshirë në listën e kandidatëve për deputet nga VV

Më: 16 janar 2021 Në ora: 18:37
Mustafë Bajrami dhe Albin Kurti

Teologu Mustafë Bajrami, i cili aderoi në Vetëvendosje përpara publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e qeverisë Hoti dhe prurjen e zgjedhjeve të reja, nuk është i përfshirë në listen e kandidatëve të Vetëvendosjes për deputetë.

Bajrami, përkundër që aderoi në Vetëvendosje, nuk ishte pjesë e listës së përbashkët ndërmjet iniciativës qytetare të Vjosa Osmanit dhe partisë opozitare.

Teologu, më parë, ishte pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Një gjë të tillë e kishte konfirmuar kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj

“Interesimi i jashtëzakonshëm i profesionistëve të fushave të ndryshme për ta mbështetur projektin e Aleancës 100% shtet, dëshmon qartë besimin në vlerat tona. Sot, zyrtarisht rrugëtimit tonë politik iu bashkua Mustafa Bajrami, doktor i logjikës dhe filozofisë analitike. Ai studimet bachelor i përfundoi në Egjipt, ndërsa studimet master dhe doktoraturën në Turqi”, shkruante Haradinaj në njoftimin e tij.

Megjithatë, ndryshe e përshkruante teologun kryetari i VV’së, Albin Kurti, pasi Bajrami aderoi në partinë e tij në prag të 2020’ës.

“Mustafë Bajrami është autor i katër librave në fushën e logjikës, dy librave në filozofinë islame, një në marrëdhënie ndërkombëtare-diplomaci, si dhe përkthyes i 10 veprave nga anglishtja, turqishtja dhe arabishtja. Po ashtu është edhe autor i një morie punimesh në teologji, filozofi, politikë dhe diplomaci si dhe i qindra shkrimeve e opinioneve”, deklaronte Kurti në njoftimin për aderim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat