Pse u anulua mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë?

Aktuale

Pse u anulua mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë?

Më: 19 janar 2021 Në ora: 23:19
Muhamet Hoxha

Shtyhet mbledhja e përbashkët e qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës

Seanca e përbashkët mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës e cila ishte planifikuar të mbahej më 25 janar të këtij viti është anuluar për shkak të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, të cilat do të mbahen më 14 shkurt. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamet Hoxha i cili thekson se menjëherë pas formimit të qeverisë, “do të vazhdojë koordinimi mes palëve për caktimin e një date të re për mbajtjen e seancës”.

“Mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, asaj të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila ishte paraparë të mbahet në fund të këtij muaji, me kërkesë të palës kosovare e njëjta nuk do të realizohet për shkak të situatës politike në Republikën e Kosovës, përkatësisht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare atje të caktuara me 14 shkurt.  Menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe formimit të institucioneve,  do të vazhdohet me komunikimet e ndërsjella për definimin e datës së mbajtjes së kësaj mbledhje, në të cilën pritet të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh të përbashkëta në sfera të ndryshme që janë interes të qytetarëve të të dyja vendeve”, deklaroi Hoxha.

Ai mes tjerash ka thënë se gjatë kësaj seance pritet të nënshkruhen më shumë marrëveshje, mes të cilave edhe marrëveshja për pikë të përbashkët kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Ndryshe, dakordimi për të mbajtur mbledhje të përbashkët mes dy vendeve, erdhi pas takimit që u zhvillua vitin e kaluar mes zëvendëskryeministrit të parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi dhe zëvendëskryeministres së Republikës së Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, të cilët deklaruan se në mbledhjen e përbashkët do të nënshkruhen disa marrëveshje në fusha të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat