Hoxha pro vettingut, “por shumë të matur”

Aktuale

Hoxha pro vettingut, “por shumë të matur”

Më: 21 janar 2021 Në ora: 00:48
Sylë Hoxha

Kandidati i LDK-së për deputet dhe ish-prokurori Sylë Hoxha është shprehur pro vettingut në sistemin e drejtësisë, por sipas tij kjo duhet të bëhet në mënyrë shumë të matur.

Ai ka thënë se duhet të ketë kujdes me një proces të tillë. Sipas tij, duhet të veprohet përmes mekanizmave të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.

“Duhet të shkojmë me faza më të ngadalshme, ndoshta do të kishte efekt, por siç po promovohet nga disa, unë mendoj se do të dëmtohej sistemi i drejtësisë edhe më shumë. Sepse sa të jem për shembull prokuror deri të kryhet vettingu, do të rrija siç thotë populli ‘me vesh në krah’ se çka po ndodh me mua dhe nuk e kam pavarësinë dhe përkushtimin në punë. Me zgjatjen e procesit, rritet numri i lëndëve dhe vjen era e ndikimit dhe ‘peshqit e mëdhenj’ do të trashen edhe më shumë”, ka deklaruar ai në Interaktiv duke shtuar se për këtë proces “duhet të ketë njerëz me përvojë, të pavarur e që ia duan të mirën sistemit të drejtësisë”.

“Si nismë e përkrahi dhe duhet të ketë grupe punuese të ekspertëve, por shumë të matur që të mos dëmtohet sistemi. Tash nis vettingun e prokurori ka nisur që dy vjet punën. Çfarë t’i bëhet atij, është proces i vështirë. Ndoshta duhet të nisë nga eprorët e organit të akuzës”, ka shtuar ai.

Në fund, Hoxha ka folur edhe për rastin e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, që para pesë vjetësh gjeti vdekjen në rrethana të dyshimta në Qendrën e paraburgimit në Prizren. Ka thënë se në atë kohë kishte deklaruar se Dehari ka kryer vetëvrasje duke lexuar raportin e mjekësisë ligjore. Hoxha, që atë kohë ishte kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, ka thënë se ka pasur besim të plotë në rezultatet e ekspertizës vendore. Ka shtuar se s’ka ide se në çfarë faze gjendet tash ky rast.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat