Me emra/ Ja kënd e akuzonte Haki Abazi për helmimin dhe vrasjen e Ibrahim Rugovës

Aktuale

Me emra/ Ja kënd e akuzonte Haki Abazi për helmimin dhe vrasjen e Ibrahim Rugovës

Nga: P.R Më: 21 janar 2021 Në ora: 17:35
Haki Abazi

Në qeverinë e kaluar ishte zëvendëskryeministër i Albin Kurtit, Haki Abazi kishte hedhur akuza publike në drejtim të ish presidentit Hashim Thaçi, për të cilin thoshte se e ka helmuar dhe vrarë presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën.

Ishte viti 2019, kur përmes një postimi në facebook, Haki Abazi kishte kërkuar që Hashim Thaçi, atë kohë president i Kosovës, të mos i lejohet hyrja në Kosovë pas fjalimit të në Austri ku haptas kishte kërkuar ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë. Ai madje e kishte akuzuar Thaçin për tentim vrasje ndaj ish presidentit Rugova, të cilin thotë se e ka helmuar në fund.

“Ai nuk duhet lejuar te kthehet ne Kosove! A po kuptoni pse e kane tentu me vra Rugoven disa here dhe ne fund e kane gjete formen me helmu, dhe kane refuzu me varros me nderime presidenciale te nje vendi te pavarur. A po kuptoni pse ja kane vra bashkepunetoret e ngushte dhe veprimtaret e devotshem te shtetit dhe pavaresise. A po kuptoni pse e kane arrestu Albinin dhe ja kane perndjekur aktivistet dhe kane vra neper burgje e demonstrata. A po kuptoni pse e kane shtri Kosoven per toke per me sjell ne letargji dhe apati te plote”, kishte shkruar Haki Abazi.

E kjo nuk ishte hera e parë kur Abazi drejtonte gishtin ndaj Thaçit.

Abazi edhe në një deklaratë dhënë gazetës “Bota sot” në gusht të vitit 2018, kishte akuzuar Thaçin dhe kishte kërkuar hetime nga prokuroria e Kosovës.

“Ibrahim Rugova ka qenë njeriu dhe patrioti më i madh i shekullit. Ai ka drejtuar procesin dhe fazën e fundit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai kishte ndërtuar një sistem i cili kishte lëvizur gjithë diplomacinë ndërkombëtare të botës demokratike për të përkrahur lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Qe nga Rambuje dhe paraqitja e Thaçit në skenën e Kosovës ai me bashkëpunëtorët e tij kane ndjellë urrejtje kundër Rugovës dhe veprimtarëve të LDK-së. Kjo është botërisht e njohur se Thaçi edhe publikisht e ka kërcënuar Rugovën dhe mandej edhe nga dëshmitë e Nazim Ballaces dhe disa të tjerëve përfshirë edhe Naim Miftarin si ish pjesëtar i shërbimit sekret SHIK kane dëshmuar se si janë organizuar vrasjet dhe komplotet”, kishte thënë Abazi për “Bota sot”.

“Dyshimi për helmimin e tij vije edhe nga tentimet e shumta për të kryer atentat ndaj Rugovës që po ashtu janë publike dhe pjesë e dëshmive të njerëzve të afërt me SHIK. Unë kam kërkuar me vite që të hapet procesi dhe të shqyrtohet nga e para se si ka vdekur Rugova, që të behet analiza se çfarë lloj helmi ka mundur të jetë ai që ka sjellë vdekjen e shpejtë të Rugovës. Këto forma të eliminimit të udhëheqësve të rëndësishëm janë të njohura në botë përfshirë edhe helmimin e Jaser Arafatit, udhëheqësit të Palestinezëve”, ishte shprehur në atë kohë Haki Abazi.

Por, ka kohë që Haki Abazi nuk ka folur më për helmimin e ish presidentit Rugova.

Abazi gjatë ditës së sotme është parë në homazhe tek varri i Rugovës në 15 vjetorin e vdekjes së tij, bashkë me liderin e VV-së, Albin Kurtin dhe ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat