​Porositë për prokurorët: Mbroni të drejtat e viktimave dhe siguroni dinjitet njerëzor për të akuzuarit

Aktuale

​Porositë për prokurorët: Mbroni të drejtat e viktimave dhe siguroni dinjitet njerëzor për të akuzuarit

Më: 22 janar 2021 Në ora: 16:12
Philip Kosnett

Prokurorëve të shtetit iu është kërkuar të jenë të pakompromisë ndaj shkelësve të ligjit dhe të mos t’i frikësohen llogaridhënies. Në këtë konferencë vjetore të Prokurorëve, atyre iu kërkua më shumë efikasitet në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. E kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi tha se askush nuk është i paprekshëm për këtë institucion dhe të gjithë ata që e shkelin ligjin do dalin para drejtësisë, pavarësisht funksionit që ushtrojnë në shoqëri.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani tha se prokurorët përveç profesionalizimit duhet të kenë integritet dhe besueshmëri tek qytetarët. Nga posti që ajo ushtron, deklaroi se do jetë aleatja kryesore për të krijuar një shtet të së drejtës, rendit dhe ligjit.

Osmani për gjykatësit dhe prokurorët e Kosovës dërgoi mesazhin që ata të jenë të pakompromisë ndaj shkelësve të ligjit.

Osmani: Gjykatës dhe prokurorë tregohuni të pakompromisë ndaj shkelësve të ligjit

“Gjykatësit dhe prokurorët gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, përveç faktit që duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të njëjtit edhe në publik të kenë perceptimin dhe besimin e qytetarëve dhe publikut se të njëjtit janë të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë në ushtrimin e funksioneve të tyre zyrtare. Prandaj, integriteti i prokurorëve është bazament i punës së tyre, bashkë me profesionalizmin dhe etikën e punës. Prandaj, dua t’iu përcjell mesazhe inkurajimi për punë të mëtutjeshme, duke u treguar të pa kompromisë ndaj shkelësve të ligjit. Integriteti, profesionalizmi e vetëmohimi i prokurorëve tanë është garanca që e kërkojmë të gjithë në Republikën e Kosovës. Duke u nisur nga parimi se të gjithë jemi të barabartë para ligjit, pikërisht edhe puna jonë në institucione duhet të jetë e bazuar në këtë maksimë, për të na shërbyer si udhërrëfyes në punën tonë të përditshme…..Intoleranca juaj për shkelësit e ligjit, kushdo e kudo qofshin ata, është ajo çfarë të gjithë qytetarët tanë presin nga ana juaj”, tha ajo.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se vendosmëria e Prokurorit të Shtetit ka dëshmuar se janë të gatshëm për t’u përballur me çdo formë të krimit dhe se askush nuk do mund t’i ndal në këtë rrugë.

Ai tha se është e nevojshme të forcohet edhe më shumë vetëdija e prokurorëve të shtetit për domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit dhe vendosmërisë në ndjekjen, zbulimin dhe ndëshkimin e këtyre rasteve.

Lidhur me trajtimin e krimeve të luftës, Lumezi tha se janë bërë hapa pozitivë në fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës, i cili funksionon në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ku krahas strategjisë për trajtimin e krimeve të luftës, është caktuar edhe një prokuror i ri në këtë departament, duke e çuar në katër numrin e prokurorëve që merren ekskluzivisht me këto raste.

Lumezi: Do përballemi me çdo formë të krimit dhe në këtë rrugë nuk do të na ndalë askush

“Duke treguar forcën tonë që e përbëjmë të gjithë së bashku si Prokurori e Shtetit, si dhe kemi dëshmuar vendosmëri për t’u përballur me çdo formë të krimit dhe në këtë rrugë nuk do të na ndalë askush, sepse ky është interesi i shtetit dhe ne veprojmë në emër të shtetit. Sipas urdhrave të Prokurorisë janë ndërmarrë masa dhe veprime, të cilat kanë rezultuar me zbardhjen e veprave penale më të rënda, ndërsa janë privuar nga liria dhe janë proceduar shumë pjesëtarë të grupeve kriminale. Në këtë mënyrë, kemi dërguar porosi të qarta te të gjithë se askush nuk mund të vihet mbi institucionet e shtetit. Shoqëria me të drejtë është duke pritur nga prokurorët që nëpërmjet hetimeve të mirëfillta dhe të paanshme të kontribuojnë në pastrimin e shtetit, politikës dhe institucioneve nga korrupsioni, nepotizmi, abuzimi dhe çdo formë tjetër e krimit që i cenon marrëdhëniet juridike-shoqërore. Prandaj është e nevojshme të forcohet edhe më shumë vetëdija e prokurorëve të shtetit për domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit dhe vendosmërisë në ndjekjen, zbulimin dhe ndëshkimin e këtyre rasteve. Për trajtimin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë, kemi nevojë për njerëz profesionistë, të guximshëm, me integritet dhe të trajnuar, që sigurisht ekzistojnë brenda sistemit prokurorial”, u shpreh Lumezi.

Duke folur për punën e prokurorëve, Kryeprokurori i Shtetit tha se askush nuk është i paprekshëm për Prokurorinë e Shtetit dhe këtë e dëshmojnë edhe aktakuzat e ngritura për vepra penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lumezi: Askush nuk është i paprekshëm për Prokurorin e Shtetit

“Gjatë vitit të kaluar janë ngritur aktakuza të ndryshme për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ku në mesin e të akuzuarve ka edhe ish-ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjyqtarë, policë dhe zyrtarë të tjerë shtetëror, me ç’rast kemi dëshmuar se askush nuk është i paprekshëm për Prokurorin e Shtetit dhe se do të vihen para drejtësisë të gjithë ata persona që kanë rënë ndesh më ligjin, pavarësisht statusit të tyre në shoqëri apo funksionit që ushtrojnë”, tha ai.

Kurse, ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi tha se prokurorët janë shtylla kryesore e mbrojtjes së Kosovës dhe e mbrojtjes së sundimit të ligjit, prandaj ai tha se me ndryshimet e fundit që janë bërë në Procedurën Penale u është ofruar prokurorëve më shumë mundësi që të ndjekin të korruptuarit.

Ai foli edhe për procesin e Vettingut për çka tha se është ky proces do jetë në mbrojtje të ndershmërisë së prokurorëve.

Selimi: Me ngulm kemi punuar që politika t’i mbaj duart larg nga drejtësia

“Me ndryshimet e fundit në Procedurën Penale ju do të keni më shumë mundësi të i ndiqni të korruptuarit dhe do të keni më shumë mundësi që t’i ndiqni Krimet e Luftës. Ne kemi bërë ndryshim edhe në sistemin e Vettingut, të cilin e kemi bërë bashkë me juve. Ky Vetting do të jetë për ta mbrojtur ndershmërinë e prokurorit dhe për ta mbrojtur prokurorinë. Ne e kemi bërë edhe Rishikimin Funksional, një reformë e thellë në Sistemin e Drejtësisë, që prokurorisë do t’i jap forcë, pavarësi dhe punë. Atë që kemi bërë më herët, rritjen e pagave për prokurorët ne do të vazhdojmë të punojmë që të keni kushte më të dinjitetshme. Kemi mbajtur me ngulm të gravuar në të gjitha veprimet tona, politika duart larg nga drejtësia”, u shpreh Selimi.

Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku i cili sapo ka marrë këtë pozitë, teksa i ka renditur prioritet e tij, tha se do punojnë në ngritjen e nivelit të llogaridhënies, efikasitetit, cilësisë së punës në zgjidhjen e rasteve. Ai tha se do punojnë në këtë drejtim me qëllim të Kosova të ketë një sistem prokurorial me integritet, transparent dhe që gëzon besimin e publikut.

Maloku: Forcimi i integritetit prokurorial dhe llogaridhënia dhe performanc do jenë prioriteti jonë

“Prioritetet e Këshillit për këtë vit do të jenë: Avancimi i sistemit të administrimit të të gjitha niveleve, përfshirë fuqizimin e kornizës ligjore dhe strukturës organizative përkatëse. Forcimi i integritetit të sistemit prokurorial (prokurorëve dhe stafit). Ngritja e nivelit të llogaridhënies dhe kontrolli permanent i punës. Avancimi i sistemit të vlerësimit të performancës së prokurorëve. Ngritja e nivelit të transparencës. Avancimi i kritereve për rekrutim mbi bazë të meritave. Zhvillimi i mëtejmë i sistemit të ngritjes në karrierë. Përmirësimi i vazhdueshëm i planifikimit, buxhetit dhe kushteve për punë. Ngritja profesionale e prokurorëve dhe stafit administrativ. Bashkëpunimi dhe koordinimi me partner vendor dhe ndërkombëtar”, theksoi ai.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog tha se krijimi dhe ruajtja e një prokurorie efikase, të pavarur dhe llogaridhënëse është proces i vështirë, kompleks dhe i vazhdueshëm.

Szunyoug u shpreh se prokurorët në Kosovës vazhdojnë të ballafaqohen me ndikime të padrejta ndaj tyre dhe lëndëve të tyre.

Shefi i BE-së në Kosovë kërkoi rezultate më të mira në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Szunyog: Do duhej të kishte përparime në zbatim të legjislacionit për konfiskim

“Puna e prokurorit fillon me udhëheqjen e hetimit por nuk përfundon me ngritjen e aktakuzës. Fitorja në luftën kundër krimit vjen vetëm kur jepen dënime të formës së prerë në gjykatë. Veç kësaj, konfiskimi i pasurive është thelbësor për luftimin e krimit ekonomik. Është i lartë numri i konfiskimeve paraprake të pasurive të kryera gjatë procedurave penale. Por ende mbetet i ulët numri i konfiskimeve përfundimtare. Në mënyrë që të lehtësohet më tej rikuperimi i të ardhurave të krimit dhe që pasuritë të konfiskohen në mënyrë efektive, BE-ja dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë e inkurajojnë Kosovën që ta themelojë sa më shpejt fondin për këtë qëllim specifik. Do të duhej të kishte përparim në zbatimin e legjislacionit në lidhje me konfiskimin, veçanërisht të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskim”, theksoi shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ndërsa, ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Philip Kosnett në Konferencën Vjetore të Prokurorëve i ka përmendur ngjarjet e fundit në Uashington, për çka tha se nuk është hera e parë që vlerat dhe institucionet demokratike amerikane janë testuar.

Ai këshilloi prokurorët që të mos i frikësohen llogaridhënies.

Kosnett: Mbroni me forcë të drejtat e viktimat dhe siguroni dinjitet njerëzor për të akuzuarit

“Prokurorë, mbrojtës të viktimave dhe staf ndihmës – mbani në mend që publiku ju beson që të jeni prijës të sundimit të ligjit. Mos iu frikësoni llogaridhënies – përqafojeni atë. Kërkoni nga vetja, kolegët dhe prijësit tuaj që t’i përmbaheni standardit më të lartë ligjor dhe etik. Mbroni me forcë të drejtat e viktimat dhe siguroni dinjitet njerëzor për të akuzuarit. Kërkoni drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh pozita e tyre në shoqëri. Dhe ju nxis t’i mbani këto standarde dhe të shërbeni si shembull në shoqëri edhe në jetën tuaj personale”, u shpreh ambasadori i SHBA-ve në Kosovë.

Kosnett përmendi edhe kontributin që kishte dhënë Anton Çetta për të ruajtur trashëgiminë e pasur kulturore dhe historinë e Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat