A u pengua Kurti të bëjë fushatë në Terdevc të Drenicës? Flet Ramiz Lladrovci

Aktuale

A u pengua Kurti të bëjë fushatë në Terdevc të Drenicës? Flet Ramiz Lladrovci

Më: 23 janar 2021 Në ora: 16:46
Albin Kurti

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në kuadër të fushatës parazgjedhore ka qëndruar gjatë ditës së djeshme në Drenicë ku ka vizituar fshatra të ndryshme. Megjithatë në disa media është raportuar se në fshatin Terdevc nuk është lejuar që Albin Kurti të bëjë fushatë.

Megjithatë një gjë të tillë e kanë demantuar nga Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas dhe gjithashtu kryetari i kësaj Komune, Ramiz Lladrovci, ka thënë se nga informacionet që ka në rrugë zyrtare, nuk ka ndodhur asgjë.

Lladrovci përveç tjerash ka thënë se Kurtin e ka edhe mik të mirë.

“Kjo është çështje e organeve kompetente, përkatësisht e Policisë. Unë kam respekt për z. Kurti dhe e kam mik, pavarësisht këtij fakti, vlerësoj se as më heret e as tash, askush nuk është penguar e as nuk duhet të pengohet në organizimin e tubimeve. Kushdo që i pengon ato, bën shkelje, ashtu sikur që tubimet duhet të lajmërohen te organet kompetente për mbarëvajtjen e tyre. Megjithatë, nga informatat zyrtare të  deritashme, kjo është vetëm një sajesë, ngase nuk ka pasur asnjë pengim ndaj kujtdo qoftë për oganizimin e aktiviteteve politike”, ka thënë Lladrovci.

Se Kurti nuk është penguar gjatë kësaj vizite në Drenas e thonë edhe nga dega e VV’së atje.

Përmes një publikimi ne faqen zyrtare, kjo Degë bashkë me personin që u raportuar se nuk e ka pranuar Kurtin për vizitë gjatë fushatës, kanë lëshuar një reagim ku mohojnë të ketë ndodhur një gjë e tillë.

“Me kërkesën e fermerit punëtor e të zellshëm, z.Labiont Halilaj, ne, sot u takuam, diskutuam dhe vendosëm që bashkarisht të demantojmë këto lajme të pavërteta, të cilat qëllimin e vetëm e kanë nxitjen e urrejtjes ndërshqiptare, jo vetëm në Drenicë, por në të gjithë Kosovën”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Kjo Degë tutje ka thënë se Kurti kishte planifikuar të vizitonte edhe fermën e Labinot Halilajt, por që si pasojë e agjendës së ngjeshur ka qëndruar shkurt aty.

“Ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në të kaluarën, gjithmonë kanë filluar në Drenicë, sepse ajo çdo herë, sidomos në kohët më të vështira hapi dyert për të pritur prijësit e ndryshimeve. Kjo traditë po vazhdon edhe tani, ku dyert e drenicasve janë të hapura për ta përqafuar ndryshimin që po ndodh në gjithë Kosovën. Njëra nga këto dyer, ishte edhe ajo e fermerit, Labinot Halilaj, që mbrëmë i bëri një pritje vëllazërore Kryeministrit dhe shoqëruesve të tij. Në agjendën e Kryeministrit ishte vetëm një vizitë e shkurtër disa minutëshe në fermë. Dhe për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion, Kryeministri dhe shoqëruesit e tij qëndruan vetëm disa minuta atje, sepse shumë qytetarë po prisnin në takimet tjera të paracaktuara në Nekoc, Polluzhë e Shtuticë”, thuhet tutje në reagim.

Por kreu i Komunës së Drenasit një reagim të tillë të Degës së VV’së atje po e quan si viktimizim

“Edhe pse ende nuk jemi në fushatë zyrtare, është i papranueshëm reagimi i degës së Vetëvendosjes në Drenas duke u viktimizuar.Drenica ka prijës të ndryshimeve ashtu siç kishte më heret, ka edhe sot, këtë Drenasi e ka dëshmuar më së miri.Drenica, ishte dhe mbetet shembull i mikpritjes dhe tolerancës ndërpartiake. Propagandën në çfarëdo konteksti kundër qytetarëve të komunës së Drenasit nuk i bën nder askujt!”, ka potencuar ndër të tjera Ramiz Lladrovci.

Zyrtarisht ende nuk ka filluar fushata për zgjedhjet e 14 shkurtit, megjithatë tashmë të gjitha partitë politike janë duke organizuar vizita e tubime të ndryshme nëpër gjithë Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat