Rritet numri i pacientëve me COVID-19, a po hyn Kosova në valën e re të virusit?

Aktuale

Rritet numri i pacientëve me COVID-19, a po hyn Kosova në valën e re të virusit?

Më: 25 janar 2021 Në ora: 14:54
Klinika Infektive e QKUK-së.

Si pasojë e rritjes së rasteve me koronavirus në nivel vendi edhe në Klinikën Infektive të QKUK-së është rritur numri i pacientëve me COVID-19. Aktualisht në këtë Klinikë janë të shtrirë 102 pacientë dhe prej tyre 63 janë me oksigjenoterapi, kurse tre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha e cila ka thënë se në dy ditët e fundit vërehet një rritje e lehtë e rasteve që po kërkojnë trajtim spitalor në këtë klinikë.

“Ne në Klinikën infektive sot i kemi 102 pacientë të spitalizuar prej tyre 63 janë me oksigjenoterapi, ndërsa 3 pacientë janë në respiratorë në gjendje të rëndë shëndetësore…Këto dy ditët e fundit numri i rasteve është mbi 100 të spitalizuar, është një rritje e lehtë e numrit të rasteve të spitalizuar, përkundër ditëve paraprake që i kishim prej 80 deri në 90, tani brenda ditës numri sillet në 100. Pas vizitave mjekësore ka pacientë të cilët lirohen në shtëpi, mirëpo në ndërkohë ka edhe pacientët ë cilët pranohen për shkak të problemeve të tyre respiratore, në gjendje të rëndë shëndetësore, janë me oksigjenoterapi. Ka mosha të ndryshme nuk përjashtohet asnjë moshë, kemi mosha të reja, por normalisht që kemi pacientët që kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese mund të manifestojnë një ecuri më të rëndë“, theksoi ajo.

Ajazaj-Berisha u shpreh se kohë pas kohe po kanë telashe me furnizim me antibiotikë.

“Sa i përket barnave kohë pas kohe kemi mungesa të barnave të cilët janë të nevojshëm për trajtimin e pacientëve, mirëpo bashkërisht me barnatoren e QKUK dhe drejtorinë po mundohemi në maksimum të bëhet furnizimi që mos të ketë nevojë për blerje, megjithëse kohë pas kohe kemi mungesa të tyre posaçërisht të antibiotikëve, dhe favipiraviri ju e dini që ne jemi të furnizuar me favipiravir”, deklaroi drejtoresha e Klinikës Infektive.

Meqenëse gjatë valës të fundit të koronavirusit në Kosovës shumë klinika e spitale patën telashe me furnizim me oksigjen, drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha deklaron se në këtë klinikë nuk kanë pasur dhe nuk kanë telashe të tilla.

“Ne në Klinikë nuk kemi pasur asnjë herë problem me furnizimin me oksigjen, kohë pas kohe ka pasur shenja të alarmit por fal angazhimit të vazhdueshëm edhe të drejtorisë dhe ministrisë asnjëherë nuk kemi pasur problem me oksigjen”, u shpreh ajo.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat