Hoxhaj: Në 100 ditëshin e parë do të nisim legalizimin e pronave

Aktuale

Hoxhaj: Në 100 ditëshin e parë do të nisim legalizimin e pronave

Më: 28 janar 2021 Në ora: 15:42
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili dhe kandidati për deputet, Abelard Tahiri ka takuar sot banorët e lagjes Kodra e Trimave në Prishtinë, të cilëve u ka premtuar se në 100 ditëshin e punës së tij si kryeministër i vendit do të nisë legalizimin e pronave të tyre.

Hoxhaj ka thënë se vetëm Partia Demokratike e Kosovës e ka guximin dhe vullnetin që të adresojë problemet e qytetarëve, ndër to edhe problemin e legalizimit të pronave.

“Dua të ju garantoj që projekti i legalizimit të pronave, të shtëpive, të investimeve të ndryshme, një projekt i cili ka mbetur i pazgjidhur, i pa adresuar në Kosovë në këto 20 vitet e fundit do të jetë prioritet i parë i qeverisë që do ta drejtoj unë. Do të jetë prej vendimeve të para që do t’i marrim në 100 ditëshin e parë, meqë fjala është për 400 mijë shtëpi dhe prona të tjera të cilat janë të parregulluara dhe meqë fjala është për 10 miliardë euro buxhet të cilat do të përdoren në shërbim të zhvillimit, në shërbim të rritjes ekonomike dhe në shërbim të një qartësie për qytetarët e Kosovës të cilën nuk e kanë pasur deri më tash. Mendoj që është prej vendimeve më të mëdha që merr Kosova prej qershorit të 99 deri në janar të 2021. Këtë projekt jam i nderuar shumë që e bëjmë publik për herë të parë në Kodër të Trimave”, ka thënë ai.

Ndërsa, Abelard Tahiri ka thënë se gjatë mandatit të tij si ministër i drejtësisë kishte filluar projektin për legalizimin e pronave, por që kishte mbetur në gjysmë pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se gjatë mandatit të qeverisjes së PDK-së çështja e legalizimit të pronave, me të cilin përballen edhe banorët e Kodrës së Trimave, do të jetë prioritet.

“Sot nga Kodra e Trimave po qojmë mesazh për të gjithë Republikën e Kosovës që në dy vitet e ardhshme të qeverisjes së kryeministrit Hoxhaj do të jetë prioritet dhe do të jetë angazhim i joni i madh që të përfundojë legalizimi i pronave në të gjithë Republikën e Kosovës. Pra, është një shumë rreth 10 miliardë euro që konsiderohet që është e bllokuar sa kushtojnë këto prona në mbarë Republikën e Kosovës dhe legalizimi mundëson një zhbllokim të tillë dhe këto prona do të përdoren për zhvillimin ekonomik të ekonomive familjare të vogla, të mesme, të mëdha”, ka thënë ai.

Kurse, Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili, ka theksuar se qeveritë e kaluara kanë bllokuar zhvillimin  e Kodrës së Trimave për mungesë të legalizimit të pronave.

“Një kërkesë që ka mundur ta bëjë ndryshimin në jetën e secilit qytetar në Kodrën e Trimave, por qeverisja komunale ka qenë e shurdhër dhe fare nuk është interesuar për jetën e qytetarëve në Kodrën e Trimave. Fatmirësisht kemi një kryeministër i cili me platformën e rimëkëmbjes u bënë zgjidhje problemeve të qytetarëve, nuk bënë zgjidhje politike vetëm për të qenë, por jep program, ka ekip dhe ka vullnet për të bërë zgjidhjen për të gjitha problemet të cilat i kanë qytetarët e që për Kodrën e Trimave problemi i legalizimit mbetet një problem kyç që nuk lejon zhvillimin e kapitalit në këtë vend, nuk ka lejuar ndërtimin në këtë vend, nuk ka lejuar mirëqenien e qytetarëve që të rritet gjithandej nëpër Prishtinë janë rrit banesat e në Kodrën e Trimave është bllokuar zhvillimi pikërisht se nuk ka pasur vullnet politik”, tha ai.

Islam Islami, banor i lagjes Kodra e Trimave, duke treguar se qytetarët e kësaj lagjeje e kanë kërkesë të kamotshme zgjidhjen e çështjes së legalizimit ka thënë se vetëm PDK ka plan konkret për këtë problem.

“Unë e kam pa që vetëm Partia Demokratike e Kosovës e ka në planin e vet këtë pjesë për punën e legalizimit. Ne si qytetarë kemi shumë kërkesa, mirëpo prioritet gjithmonë e kemi pasur punësimin, po nëse bëhet kjo çka po na premtojnë atëherë nuk ka me pas nevojë për t’u punësuar x personi se ndoshta e hap një biznes dhe i krijohet perspektiva me punua në vendin e vet pa shku dhe me kërku një vend pune. Ishalla këto fjalë bëhen realitet”, ka thënë ai.

Image
Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat