30 deri 39 vjeç, grupmosha më e prekur nga koronavirusi në Kosovë

Aktuale

30 deri 39 vjeç, grupmosha më e prekur nga koronavirusi në Kosovë

Më: 29 janar 2021 Në ora: 09:33
Foto Ilustrim

Diabeti, sëmundjet e mushkërive, ato të zemrës, janë disa prej sëmundjeve shoqëruese që kanë pasur viktimat me COVID-19 në Kosovë.

Por, sipas autoriteteve shëndetësore, ka pasur raste me koronavirus që kanë përfunduar me fatalitet, e që nuk kanë pasur asnjë sëmundje shoqëruese.

“Shumica e qytetarëve  që kanë përfunduar me fatalitet nga infeksioni i koronavirusit e që e shkakton sëmundjen e COVID-19, thuhet se kanë pasur sëmundje shoqëruese. Por, zyrtarë brenda Ministrisë së Shëndetësisë thonë se ka pasur raste kur personat e infektuar me koronavirus, që kanë përfunduar me fatalitet, nuk kanë pasur asnjë sëmundje shoqëruese. Këtë e tha, Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Përveç COVID-19 në bazë të raporteve mjekësore kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese por jo çdo herë secili. Në bazë të këtyre raporteve, personat që janë më të ri në moshë kanë pasur më pak sëmundje shoqëruese dhe ka raste kur COVID ka qenë shkaktar i drejtpërdrejtë i vdekjes’’, tha ai.

Sa i përket grupmoshave më të prekura nga COVID-19, sipas Hotit,  është ajo prej 30 deri në 39 vjeç, pasuar nga grupmosha 40-49. Pas kësaj vijnë grupmoshat nga 50-59 dhe 20-29.

Ndërkaq sa i përket gjinisë, më shumë të infektuar me koronavirusin e ri ka meshkuj, me 51 për qind, kundrejt 49 për qind femra.

Grupmoshat që kanë më së shumti raste me fatalitet janë 70-79 vjeç, pasuar nga grupmosha 60-69 vjeç. Pastaj vijnë personat mbi 80 vjeç, bëri të ditur Hoti, duke thënë se këto të dhëna janë marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Infektologu Sali Ahmeti tha se shumica e personave që kanë humbur jetën nga COVID-19, kanë qenë me sëmundje shoqëruese.

“Në Klinikën Infektive kanë pasur sëmundje shoqëruese qoftë kronike manifeste ose latente. Latente janë sëmundje që në momentin e infeksionit me COVID-19, janë vërejtur që janë sëmundje të pranishme”, tha Ahmeti.

Megjithëkëtë zyrtarë nga IKSHPK thonë se Kosova aktualisht thuhet se ka situatën më të favorshme epidemiologjike me infeksionin e koronavirusit në rajon.

Andaj ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, javën e kaluar ka lehtësuar masat anti-Covid, në disa zona të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat