Hoxhaj në Viti: Pas dështimit të dy qeverive, PDK-ja e vetmja shpresë për qytetarët

Aktuale

Hoxhaj në Viti: Pas dështimit të dy qeverive, PDK-ja e vetmja shpresë për qytetarët

Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 21:17
Enver Hoxhaj

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së Enver Hoxhaj, sot ka takuar edhe qytetarët e Vitisë.

Ai ka thënë se vetëm Partia Demokratike e Kosovës ka plan dhe vizion për ta rimëkëmbur vendin në aspektin ekonomik, politik, shëndetësor dhe arsimor.

Hoxhaj: PDK-ja, adresa e vetme e dinjitetshme

"E vetmja adresë e dinjitetshme në këto zgjedhje, e vetmja adresë politike në këto zgjedhje, e vetmja adresë për t'i zgjidhur temat ekonomike, për t'i zgjidhur çështjet arsimore, shëndetësore në këto zgjedhje është Partia Demokratike e Kosovës. Qytetarët e Kosovës e kanë parë se çka ka ndodhur në vitin 2020. Në vitin 2020 ka qenë një degradim i madh politik, arsimor, shëndetësor, ekonomik, i cili i ka ndodhë vendit dhe e vetmja parti që mund ta rikthejë Kosovën përsëri në binarë është Partia Demokratike e Kosovës", ka thënë ai.

Hoxhaj ka thënë se përkundër faktit që PDK është goditur nga Gjykata Speciale, kjo parti ka dëshmuar se dinë të organizohet dhe të veprojë politikisht.

Hoxhaj: Ne dimë të organizohemi

"Ne kemi treguar gjatë këtyre muajve të fundit, përkundër kësaj goditje, që dimë të organizohemi, që dimë të veprojmë politikisht, që dimë të bëjmë beteja politike dhe realisht këtë betejë politike po e bartë çdo anëtar i PDK-së në nivel të vendit, prej Vitisë në Kamenicë e Dardanë dhe prej Dardanës në Gjakovë e në Istog. Këtë entuziazëm, me thënë të drejtën, unë e kam parë vetëm në 2007, kur ka ndodhur ajo fitorja jonë e madhe", ka thënë ai.

Kryetari i PDK-së, para qytetarëve të Vitisë, ka thënë se partia që e drejton është e vetmja parti nga e cila i kanë kthyer sytë qytetarët e Kosovës.

Hoxhaj: PDK e vetmja parti politike që rikthen besimin e qytetarëve

"E vetmja parti politike, e cila po e rikthen besimin përsëri, e cila është shpresë dhe ndaj të cilës i kanë drejtuar sytë qytetarët e Kosovës, qytetarët e Vitisë, është Partia Demokratike e Kosovës. Prandaj, po ju ftoj juve që ta jepni maksimumin në këto zgjedhje", ka përfunduar Hoxhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat