KQZ miraton broshurën me ri-radhitje të listave, VV kundërshton

Aktuale

KQZ miraton broshurën me ri-radhitje të listave, VV kundërshton

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 18:58
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)

(E plotësuar 21:00) -Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar sot broshurën me kandidatë për zgjedhje, me propozimin e anëtarit të Nismës Socialdemokrate në KQZ, Eshref Vishi që të hiqen numrat rendorë dhe zbrazëtirat në këto lista zgjedhore.

Një gjë e tillë është kundërshtuar nga dy anëtarët e KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, ku pati përplasje verbale ndërmjet kryetares Valdete Daka dhe anëtarit Sami Kurteshi.

Kurteshi tha se qëllimi i ri-radhitjes së listave është emri i Albin Kurtit, dhe theksoi se nuk do ta pranojnë këtë vendim.

Kurteshi: Ne nuk e pranojmë këtë vendim

“U përmend këtu pengesa për mërgatën, ne e dimë kush ka vendosur pengesa për mërgatën. Por është në pyetje emri i Albin Kurtit, jo veç që e përjashtojnë atje, por nuk dëshirojnë të ketë as numër. Kot e keni! 14 shkurti do të vijë dhe do ta tregojë këtë. Kjo është çështje politike prej Hënës e deri në Tokë. Dua të them se kjo çështje me listën e Lëvizjes Vetëvendosje, zotëri Vishi ka përfunduar. Ju po e ngrini me qëllim dhe ne e dimë se cili është qëllimi. Edhe ai qëllim nuk do të arrihet. Unë po ju them se kjo listë e Vetëvendosjes do të shkojë kështu. Nëse ju dëshironi ta ndryshoni këtë listë, ne nuk e pranojmë këtë vendim”, tha Kurteshi.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se duhet të procedohet broshura, me votua ose jo.

Daka: Broshura me ri-radhitje të listave të procedohet pro ose për mos votim

Video

“Ne duhet proceduar të votojmë ose mos ta votojmë. Unë nuk kam tjetër mundësi përveç ta hedh në votim broshurën ashtu siç është e propozuar”, tha Daka.

Anëtarët e KQZ-së nga Vetëvendosja Alim Halimi dhe Sami Kurteshi kanë bojkotuar mbledhjen derisa u hodh në votim broshura me kandidatë.

 

 Përplasje në KQZ rreth broshurave, kalon propozimi që të hiqen numrat e të pacertifikuarve

Përplasje ka pasur në KQZ në lidhje me broshurat.

Anëtari i NISMAS në KQZ, Eshref Vishi, ka kërkuar të largohen numrat rendor dhe , të largohen hapësirat e të bëhet një rirenditje të mos krijohet huti, pasi mund të ketë gabime e po ashtu vështirësi gjatë numërimit të votave.

Kjo ka pasur në kundërshtim nga anëtarët e VV-së. Sami Kurteshi i VV-së, ka thënë se listën e VV-së nuk do të ndryshohet dhe se është vendim politik, e se po ju pengon të gjithëve Albin Kurti.

Nga VV-ja është thënë se lista e kandidatëve është individuale e çdo partie, e të mos ndërhyhet.

Dy broshurat e Sekretariatit, ku ishin listat me hapësira dhe numra, të atyre që nuk janë certifikuar nuk kanë kaluar në votim KQZ-së. Kanë votuar pro vetëm dy anëtarët e VV-së në KQZ, të tjerët abstenuan.

Sami Kurteshi i VV-së tha se kaloj propozimi, por kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se duhen gjashtë vota. Për propozimin e Vishit të Nismas votuan tetë pro, ndërsa nuk morën pjesë në votime anëtarët e VV-së në KQZ.

 

 

 

Kështu do të duket fletëvotimi në zgjedhjet e 14 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi fletëvotimin për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 14 shkurt.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar Listën Përfundimtare të Votuesve brenda dhe jashtë Kosovës.

Sipas KQZ-së numri i votuesve brenda Kosovës është 1 milion e 794 mijë e 862 votues, apo 143 mijë e 6 votues më pak se në zgjedhjet paralamentare të vitit 2019.

Arsyeja se përse ka më pak votues në këto zgjedhje është për shkak se KQZ-ja ka vendosur që t’i largojë nga lista votuese 122 mijë e 421 persona të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuar nga UNMIK-u. Sipas KQZ-së, dokumentet e UNMIK-ut nuk shërbejnë për t’u identifikuar në vendvotim në ditën e zgjedhjeve.

Image

Po ashtu, KQZ-ja ka larguar nga lista votuese edhe 11 mijë e 86 persona të cilët janë konfirmuar se janë larguar nga skema pensionale për shkak se kanë vdekur.

Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime. 

***

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se të gjitha e-mail që janë dërguar nga diaspora janë hapur, dhe se kanë telefonuar mbi 80 mijë qytetarë në diasporë.

Daka ka thënë se pavarësisht që nuk kanë arritur të telefonojnë të gjithë votuesit, ata prapë do të kenë të drejtë të votojnë.

“Të gjithë ata që kanë dokumentuar zotësinë juridike të tyre, pra kanë bashkangjitur dokumentacionet që janë verifikuar nga shërbimi i listës së votuesve, janë përfshirë në listën përfundimtare të votuesve, dhe do të kenë të drejtë të votojnë pas pak çastesh. Askujt nuk do t’i mohohet e drejta kushtetuese.  Edhe pse nuk kemi mundur t’i thërrasim të gjithë, ata prapë do të mund të votojnë”, u shpreh ajo.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i personave janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës është 102 mijë e 100.

Mbledhja e KQZ-së është duke vazhduar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat