Fushata zgjedhore në kohë pandemie, si do të bëhen tubimet?

Aktuale

Fushata zgjedhore në kohë pandemie, si do të bëhen tubimet?

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 10:55
Foto ilustruese

Sot zyrtarisht ka nisur fushata zgjedhore për subjektet politike të cilët i hyjnë garës për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Kosova asnjëherë më parë nuk ka mbajtur zgjedhje në kohë pandemie dhe me masat e vendosura nga qeveria në detyrë ndalohet grumbullimi i më shumë se 30 personave në ambiente të mbyllura, kurse 50 në hapësira të hapura.

Por, kjo nuk i ka ndaluar partitë që gjatë vizitave të tyre nëpër vend të mbledhin numër të madh të simpatizantëve.

Gjatë fushatës 10 ditëshe për zgjedhjet e 14 shkurtit mbetet të shihet se si do të bëhet organizimi i tubimeve në qytete të ndryshme të Kosovës.

Partitë politike, kandidatët për kryeministër dhe ata për deputetë kanë kohë për të shpalosur të gjitha premtimet dhe programet e tyre politike deri më 12 shkurt në 00:00 kur edhe fushata zyrtarisht merr fund.

Disa nga subjektet politike tashmë kanë hapur zyrtarisht fushatën me të tjera që e kanë paralajmëruar ta bëjnë një gjë të tillë gjatë ditës.

13 shkurti do të jetë heshtje zgjedhore, derisa gjithçka do të vendoset më 14 shkurt kur do t’i drejtohen kutive të votimit.

Kujtojmë se në tubimet përmbyllëse të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 liderët politikë mblodhën mijëra simpatizantë në një vend.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me kandidate për kryeministre Vjosa Osmanin, atë kohë kishte vendosur që tubimin përmbyllës ta mbante në Gjilan, komunë që udhëhiqet nga Lutfi Haziri i LDK-së.

Në këtë tubim morën pjesë mijëra qytetarë.

Lëvizja Vetëvendosje, në krye me Albin Kurtin, si kandidat për kryeministër nga kjo parti për zgjedhjet e 2019-ës, vendosi që fushatën ta përmbyll në Prishtinë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me kandidatin për kryeministër, Kadri Veseli, tubimin e tyre të fundit për 6 tetorin vendosën ta mbajnë në qytetin e Prishtinës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) që ishte në koalicion me Partinë Socialdemokrate (PSD) për zgjedhjet e 6 tetorit 2019, me kandidatin e tyre për kryeministër, Ramush Haradinaj, tubimin e fundit për këtë fushatë e mbajtën në Gjakovë.

Edhe kjo komunë udhëhiqet nga Ardian Gjini i AAK-së.

Bazuar në një raport të koalicionit të OJQ-ve “Demokracia në Veprim” më 2019 thuhet se në tubimet e partive politike morën pjesë 83 mijë qytetarë si dhe u shpenzuan mbi 1 milion euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat