Duriqi: Shqiptarët bënë më shumë fëmijë kur s’patën para, problemi i natalitetit s’është aty

Aktuale

Duriqi: Shqiptarët bënë më shumë fëmijë kur s’patën para, problemi i natalitetit s’është aty

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 00:08
Gazetari Visar Duriqi

Gazetari Visar Duriqi po thotë se qytetarët nuk i besojnë “premtimet e zbehta” të partive politike për dhënien e parave nënave pas lindjes.

Ai as nuk mendon se problemi i natalitetit te qytetarët e Kosovës është te paratë, por se kultura po ndryshon.

“Po e thjeshtojnë çështjen e natalitetit veç te paret. Historikisht shqiptarët kanë bërë më shumë fëmijë kur nuk kanë pasë pare. Nuk lidhet nataliteti me mungesën e pareve, por rënia është çështja kulturore. Thjeshtëzimi i kësaj çështjes vetëm te pagesat po më duket banalizim. Njerëzit e dinë që kjo është me bë hajgare se “do t’iu paguajmë shtesa” me e kthye atë kohën e Titos kur janë paguar dhe njerëzit kanë lindur për me pasë shtesa. Nataliteti nuk rritet me stimulime ad hoc të 10 mijë eurove. Pra, nuk është ndonjë stimulim për ndryshimin e stilit të jetës që po e krijon gjenerata e re që nuk duan të kenë shumë fëmijë”.

Duriqi në Edicion të Analizës ka thënë se këto premtime mund të japin edhe kundërefekt te gratë.

“Këto programe mund të jenë edhe dekurajuese për gratë, sidomos ato parti që e përmendin gjashtëmujorin e pushimit apo 12 mujorin. Firmat private do të refuzojnë që të punësojnë gra për shkak të barrës që iu bie për të paguar pagat. Derisa nuk bëhet një fond shtetëror që ndahet edhe prej punëdhënësit edhe prej punëmarrësit për krijimin e fondeve të reja për çështjen e familjes, këto programet ad hoc mua më duken shaka e pakripë dhe s’besoj që votuesit nuk e kuptojnë”.

Për planin e AKR-së për dhënien e 10,000 eurove nënave pas lindjes së tyre të tretë, Duriqi tha se e kanë bërë vetëm sa për të marrë vëmendjen e lexuesve.

“Fakti që nuk e dimë sa a ka lindje të katërt, as që nuk po e dinë se ku kanë me i marrë saktësisht paratë tregon se është çështje e një premtimi të zbehtë, i cili mundet të lexohet gjatë ditës, por jo të besohet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat