Gjykata Speciale i refuzon 4 veta që u paraqitën si viktima të Salih Mustafës

Aktuale

Gjykata Speciale i refuzon 4 veta që u paraqitën si viktima të Salih Mustafës

Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 19:36
Salih Mustafa në Gjykatën Speciale

Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou, e ka marrë vendimin e parë lidhur me pjesëmarrjen e viktimave në procesin gjyqësor ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa. Katër persona janë paraqitur si viktima dhe kanë aplikuar përmes postës elektronike për t’u bërë pjesëmarrës në procesin gjyqësor kundër Mustafës.

Tre nga personat që u paraqitën si viktima vijnë nga e njëjta familje, thuhet në raportin që Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave ia ka dorëzuar gjykatësit Nicolas Guillou.

“Sa i përket numrit të aplikimeve, kohës dhe mënyrës së pranimit të tyre, ZPV parashtron se, deri në datën e Raportit të saj të Parë, ajo kishte marrë, përmes postës elektronike katër kërkesa nga personat që aplikojnë për pranim në procedurë si viktima pjesëmarrëse. Sa i përket plotësisë së aplikacioneve, ZPV parashtron se tre aplikantët nga e njëjta familje (Viktimat 01/05, 02/05 dhe 03/05) nënshkruan dhe paraqitën kolektivisht një formular aplikimi, të cilin ZPV e regjistroi si tri aplikacione të ndryshme. Një aplikant i katërt (Viktima 04/05) paraqiti dhe nënshkroi një formularin e aplikimit”, thuhet në vendimin e Speciales.

Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave thotë se aplikantët s’kanë paraqitur dokumentacionin e nevojshëm që kërkohet nga kjo zyrë.

“ZPV më tej vëren se asnjë nga aplikantët nuk paraqiti dokumentacionin përkatës dhe të nevojshëm, dhe atë, pas vlerësimit të të gjitha kritereve e pranueshmërisë, ZPV nuk e konsideroi të nevojshme t’u kërkonte aplikantëve të plotësojnë aplikacionet e tyre dhe t’i mbështesin ato me dokumentacionin e kërkuar”, thuhet në vendimin e Speciales.

Gjykatësi Nicolas Guillou ka vlerësuar se viktimat e paraqitura kanë përshkruar akte që s’kanë lidhje gjeografike dhe kohore me krimet për të cilat akuzohet ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa.

Zyra që merret me viktimat thotë se aplikuesit s’kanë kërkuar masa mbrojtëse, me përjashtim të njërit, që ka kërkuar që informacioni i tij identifikues të mos zbulohet për publikun.

“Sa i përket masave mbrojtëse, ZPV parashtron që Viktimat 01/05, 02/05 dhe 03/05 nuk kërkojnë masa të tilla, ndërsa Viktima 04/05 kërkon që informacioni identifikues të mos zbulohet për publikun”, thuhet në vendimin e Speciales.

Kjo Zyrë i ka reakomanduar gjykatësit të procedurës paraprake që t’i refuzojë këto katër aplikacione, pasi asnjëri nga ta nuk kishin ofruar dokumentacion të nevojshëm.

Gjykatësi vlerëson se viktimat kanë përshkruar ngjarje që kanë ndodhur disa vlet pas fushëveprimit kohor të aktakuzës kundër Salih Mustafës.

“Për sa i përket Viktimave 01/05, 02/05 dhe 03/05, Gjykatësi i Procedurës paraprake vëren se krimet e përshkruar nga tre aplikantët kanë të bëjnë me ngjarje që kanë ndodhur disa vjet pas fushëveprimit kohor itë krimeve për të cilat akuzohet, përfshin një vendndodhje që është jashtë vendit nga shtrirja gjeografike e të njëjtave akuza dhe nuk duket se kanë të bëjnë me të Akuzuarin. Prandaj, Gjyqtari i Procedurës Paraprake konstaton se aplikimet e Viktimave 01/05, 02/05 dhe 03/05 janë të papranueshme”, thuhet në vendim.

Ndërsa për viktima tjetër e paraqitur, thuhet se ka përshkruar ngjarje që nuk lidhen gare me akuzat ndaj Salih Mustafës.

“Sa i përket Viktimës 04/05, Gjyqtari i Procedurës paraprake vëren se dëmi i përshkruar nga aplikanti ka të bëjë me ngjarje plotësisht të palidhura me akuzat, asnjëra prej të cilave nuk duket se të jetë i lidhur me të Akuzuarin. Prandaj, Gjyqtari i Procedurës paraprake konstaton se aplikimi i Viktimës 04/05 është i papranueshëm”, thuhet tutje në vendim.

Duke renditur të gjitha kët arsye, gjykatësi Nicolas Guillou ka marrë vendim që t’ua refuzojë aplikimet katër të paraqiturve dhe ka urdhëruar që emrat dhe çdo informacion identifikues i tyre të mbahet konfidencial.

Më 12 qershor të vitit të kaluar, gjykatësi i procedurës paraprake konfirmoi një aktakuzë kundër Salih Mustafës.

Më 27 nëntor, gjykatësi Nicolas Guillou lëshoi ​​një vendim kornizë për aplikimet e viktimave, duke urdhëruar Zyrën për Pjesëmarrjen e Viktimave që të paraqesë raportin e saj të parë më 10 dhjetor 2020 lidhur me aplikimet e paraqitura dhe të paraqesin raporte të tjera të tilla, nëse ka, në baza të rregullta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat