​Haradinaj: Të mos dëmtohet procesi zgjedhor, çështja e presidentit varet nga forcat politike

Aktuale

​Haradinaj: Të mos dëmtohet procesi zgjedhor, çështja e presidentit varet nga forcat politike

Më: 14 shkurt 2021 Në ora: 23:52
Ramush Haradinaj

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është paraqitur në konferencë për media pas mbylljes së vendvotimeve dhe rezultateve preliminare që e rendisin këtë parti në vendin e katërt.

Haradinaj gjithashtu ka thënë se rezultatet e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje fituese dhe ka uruar këtë subjekt dhe partitë e tjera për rezultatet e deritanishme.

Haradinaj: Kërkojmë që të mos dëmtohet një proces kaq i mirë i zgjedhjeve

“Ajo çka shohim për Aleancën 90% të votave të numëruara nga KQZ është një rezultat rreth 10%, përputhet edhe me parashikimet tona të pritjeve. E dimë që ky proces kaq i lirë tani ndodhet në përgjegjësinë e komisioneve dhe vëzhguesve dhe kërkojmë që të mos dëmtohet një proces kaq i mirë i zgjedhjeve pasi të ruhet vota të ketë përgjegjësi maksimale nga komisionarët dhe vëzhguesit”, tha Haradinaj.

Ai tha se Kosova nuk duhet të humbë kohë në formimin e institucioneve. Haradinaj tha se duhet pritur rezultatin deri në fund, meqë sipas tij exit-pollet kanë shpërputhje. Ai ka përsëritur se nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje.

KosovaPress ka pyetur liderin e Aleancës se a pret të arrijë të marrë postin e presidentit, për çka edhe ka garuar në këto zgjedhje, marrë parasysh rezultatet e deritanishme dhe Haradinaj ka shprehur qëndrimin e tij se është i interesuar të arrijë bashkëpunim me ata që sipas tij duhet te krijojnë dy të tretat.

Haradinaj: Çështja e presidentit varet prej vullnetit të forcave politike

“Varet prej vullnetit të forcave politike a janë të interesuara për një bashkëpunim për t’i krijuar dy të tretat, nuk është proces i lehtë. Ne jemi të interesuar të arrijmë një bashkëpunim me forcat politike që dëshirojnë t’i arrijnë dy të tretat për të pasur Kosova institucione të qëndrueshme”, tha ai.

Haradinaj tha se fituesit e kanë përgjegjësinë për të krijuar shumicën me dy të tretat. Ai shtoi se do të presin rezultatin përfundimtar për të vepruar tutje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat