Profesori universitar i Filozofisë Blerim Latifi, ka reaguar pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ai ka thënë se fitorja e VV-së ishte e pashmangshme, pasi Albin Kurti u perceptua si i pakorruptuar, përcjell Bota sot.
Latifi ka thënë se koha e qëndrimit të Kurtit në pushtet, do të varet nga aftësia e tij për ta përkthyer këtë tregim në praktikë qeverisëse.
Postimi i Latifit në Facebook:
Në një shtet ku epiteti kryesor i cili u mvishet politikanëve është epiteti i hajnit, çelësi për sukses elektoral është të perceptohesh si i pakorruptuar. Këtë çelës e kishte vetëm Kurti, prandaj dukej qartë se fitorja e tij do të jetë e pashmangshme dhe e madhe.
Antikorrupsioni është tregimi i madh që e solli në pushtet dhe koha e qëndrimit të tij në pushtet do të varet krejtësisht nga aftësia e tij për ta përkthyer këtë tregim në praktikë qeverisëse. Natyrisht, për këtë nuk do t'i mjaftojë vetëm pakorruptueshmëria e tij personale, por edhe ajo e ekipeve të tij qeverisëse. Ai ka para vetes vetëm një shans për ta fituar vendin në histori dhe kjo shans quhet sundimi i ligjit.